Rasti i Behajdin Allaqit, Prosper: Gjykata kërkoi që emri të ishte konfidencial, e publikoi vetë
Pierre Richard Prosper, avokat i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për rastin e Behajdin Allaqit dhe për përmendjen e emrit të tij në ditë e shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në intervistën për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Prosper ka thënë se gjatë gjithë procesit çështjet…
Lajme
Pierre Richard Prosper, avokat i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për rastin e Behajdin Allaqit dhe për përmendjen e emrit të tij në ditë e shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në intervistën për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Prosper ka thënë se gjatë gjithë procesit çështjet që lidhen me këtë rast ishin mbajtur konfidenciale dhe se mbrojtjes nuk i ishte lejuar që të diskutonte publikisht për to.
“Gjatë gjithë procedurës çështjet që kishin të bënin me këtë ngjarje janë mbajtur konfidenciale, sekrete nga publiku. Dhe mund ta them, në këtë proces neve kishim shumë informata të mira, pyetje kryqëzore lidhur me këtë çështje që kishin të bënin me mbrojtjen dhe nuk na është lejuar të diskutonim”, ka thënë ai.
Sipas Prosperit, nuk kishte pasur as urdhër dhe as vendim të tribunalit që do t’i bënte publike këto ngjarje apo rrethanat publike.
“Por në ditën kur publikohet aktgjykimi, gjykata vendos se është e rëndësishme që të shpallet kjo informatë, të bëhet publike pa informatat e tjera bazë për njerëzit”, është shprehur Prosper.
Ai e ka cilësuar këtë si një tjetër çështje problematike, duke e lidhur me atë që e konsideron si problem të motivimit në proces.
“Prapë kjo është diçka tjetër problematike dhe i kthehet pikës sime lidhur me motivimin, i kthehet pikës se ky aktgjykim është përfaqësimi i pandershëm i sundimit të ligjit dhe drejtësisë”, ka deklaruar Prosper.