Rasti i 189 mijë eurove në Gjilan, nisin rimbursimet për donatorët e GoFundMe në Gjermani

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrim përmes një fushate humanitare për grumbullimin e mjeteve financiare, kinse për trajtimin e një sëmundjeje të rëndë. Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari, me inicialet E. A., dyshohet se ka pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë,…

Lajme

23/11/2026 18:54

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për mashtrim përmes një fushate humanitare për grumbullimin e mjeteve financiare, kinse për trajtimin e një sëmundjeje të rëndë.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari, me inicialet E. A., dyshohet se ka pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Përmes kësaj fushate, ai dyshohet se ka organizuar grumbullimin e parave në Kosovë dhe diasporë, përfshirë edhe përmes platformës GoFundMe.

Pas veprimeve hetimore, llogaritë bankare të identifikuara në Kosovë janë bllokuar, ndërsa mjetet e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në një vendim të gjykatës.

Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se për fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe në Gjermani ka nisur procesi i rimbursimit të donatorëve.

I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor, ndërsa më 23 nëntor, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Në fund të njoftimit, Policia ka theksuar përkushtimin për të hetuar çdo dyshim për keqpërdorim të fushatave humanitare, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së besimit dhe solidaritetit të qytetarëve ndaj personave që kanë vërtet nevojë për ndihmë. /Lajmi.net/