Raporti thotë se Kosova nuk po bën mjaftueshëm për ta zvogëluar varësinë nga thëngjilli
Kosova, si dhe dy vendet e tjera të Ballkanit Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta zvogëluar varësinë nga thëngjilli dhe për ta ulur emetimin e gazrave serrë në atmosferë, sipas një raporti të Rrjetit për Veprim Klimatik (RRVK). Raporti i koalicionit joqeveritar evropian, i cili i lufton ndryshimet klimatike, thekson…
Lajme
Kosova, si dhe dy vendet e tjera të Ballkanit Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk po bëjnë mjaftueshëm për ta zvogëluar varësinë nga thëngjilli dhe për ta ulur emetimin e gazrave serrë në atmosferë, sipas një raporti të Rrjetit për Veprim Klimatik (RRVK).
Raporti i koalicionit joqeveritar evropian, i cili i lufton ndryshimet klimatike, thekson se Kosova, Serbia dhe Bosnja nuk i kanë përmbushur synimet e caktuara në Planet Klimatike dhe Energjinë Kombëtare (PKEK), si dhe kanë bërë përpjekje të vogla për të krijuar strategji konkrete për ta hequr nga përdorimi thëngjillin, transmeton lajmi.net.
“Varësia e vazhdueshme në thëngjill të vjetruar dhe joefikas e pengon tranzicionin e shumënevojshëm në burime të energjisë së ripërtëritshme në rajon. Kjo e minon fizibilitetin e zbatimit të politikave çmimore të karbonit, të cilat nuk adresohen siç duhet në PKEK”, thuhet në raport.
Në Kosovë, PKEK-u nuk ofron një strategji gjithëpërfshirëse për heqjen nga përdorimi të linjitit, një thëngjill i butë që Kosova ka shumë, ndërsa pritjet janë që termocentralet të mbeten në punë përtej vitit 2040, thuhet në raport.
“Kjo mungesë e strategjisë nënvizon një mungesë të madhe të përkushtimit të Kosovës për dekarbonizim”, sipas raportit.
Bosnja, vendi i vetëm i rajonit që eksporton rrymë, e prodhon 60 për qind të rrymës përmes termocentraleve me thëngjill dhe pjesën tjetër përmes hidrocentraleve.
Kosova dhe Serbia e prodhojnë 90 për qind dhe 70 për qind, përkatësisht, të rrymës përmes termocentraleve me thëngjill, ndërsa pjesën tjetër përmes hidrocentraleve dhe centraleve solare dhe të erës.
Raporti theksoi se, derisa Kosova dhe dy vendet e tjera të Ballkanit kishin theksuar në planet e tyre synime të përgjithshme për të kaluar në energji të gjelbër, duke u zotuar për ndaljen e investimeve në prodhimin e rrymës përmes thëngjillit, ato dështuan të ofronin të dhëna të hollësishme për shkallën e kapacitetit dhe strategjitë e futjes së energjisë së ripërtëritshme në rrjet. /REL