Raporti me mediat gjatë 5 vjeçarit në krye të shtetit, Osmani kritikon AGK-në: Lëshonin komunikata të njëanshme, gazetarët kam kërkuar të mbrohen

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani jo rrallë herë gjatë mandatit të saj kishte “probleme” me mediat. E në lidhje me këtë, Osmani ka thënë se vazhdon të mos pajtohet me komunikatat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, që reagonin pas sulmeve të Osmanit e stafit të saj ndaj mediave, që sipas saj kanë qenë komplet…

Lajme

08/04/2026 09:44

Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani jo rrallë herë gjatë mandatit të saj kishte “probleme” me mediat.

E në lidhje me këtë, Osmani ka thënë se vazhdon të mos pajtohet me komunikatat e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, që reagonin pas sulmeve të Osmanit e stafit të saj ndaj mediave, që sipas saj kanë qenë komplet të njëanshme.

“Asnjëherë nuk e kanë paraqitur anën tonë si Presidencë apo timen si Vjosa Osmani, kur jam goditur pa asnjë të vërtetë, kur kanë qenë gjëra pa asnjë bazë kundër meje, kundër familjes sime, që s’kanë pasur të bëjnë me të vërtetën. Tani, unë të gjitha këto i kam dërguar në gjykatë dhe do të përballem nëpërmjet padive në ato gjykata. Mirëpo, nëse dikush ka pritur që unë të goditem, të thuhen shpifje kundër meje dhe unë thjesht ta mbylli gojën, më falni, por edhe mua më është dashur ta mbroj edhe integritetin personal, edhe profesional”, ka thënë Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se në rast sulmeve fizike ndaj gazetarëve, i ka thirrur institucionet e sigurisë në zyrë.

” Jam siguruar që të ndërmerren të gjitha masat, të gjenden fajtorët, dhe nuk ka pasur të bëjë me lirinë e fjalës, ka pasur të bëjë edhe me gjëra të tjera. Urgjentisht kam ftuar institucionet e sigurisë në zyrë dhe kam kërkuar të ndërmerren masa edhe për mbrojtjen e gazetarëve, edhe për vendosjen para drejtësisë të personave të cilët i kanë kryer këto sulme”, tha ajo në Pressing të T7.

Sipas Osmanit, detyra kryesore e presidentes në këtë aspekt është të ndërmarrë veprime në mbrojtje të gazetarëve, dhe këtë e ka bërë çdo herë. /Lajmi.net/