Rama reagon pas denoncimit të LVV-së për kontratën “Smart”: Po bëni show politik para Prokurorisë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas denoncimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prokurorinë Speciale lidhur me kontratën e ndriçimit publik “Smart”, duke e cilësuar këtë veprim si “show politik”. Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Rama ka kritikuar përfaqësuesit e LVV-së, duke vënë në pikëpyetje kontributin e tyre në paraqitjen e propozimeve në…
Lajme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas denoncimit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prokurorinë Speciale lidhur me kontratën e ndriçimit publik “Smart”, duke e cilësuar këtë veprim si “show politik”.
Në një reagim në rrjetin social “Facebook”, Rama ka kritikuar përfaqësuesit e LVV-së, duke vënë në pikëpyetje kontributin e tyre në paraqitjen e propozimeve në të mirë të qytetarëve të kryeqytetit.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetjen nëse përfaqësuesit e kësaj partie kanë paraqitur ndonjëherë propozime konkrete në Asamblenë e Kryeqytetit, duke i akuzuar se, sipas tij, janë përqendruar në rolin e hetuesit, prokurorit, gjyqtarit, policit dhe zëdhënësit.
“Vetëvendosja e Prishtinës i paska kapë do letra e paska shku edhe sot me bo një SHOW POLITIK para Prokurorisë. Votuesit tuaj ish dashtë me e pyet veten, a e keni pru najherë në Asamblenë e Kryeqytetit naj propozim në të mirë të qytetarëve të Prishtinës? Apo keni hi n’asamble me e lujt hetuesin, prokurorin, gjyqtarin, policin, zëdhënësin? Punoni, more, najsen!”, ka shkruar Rama.
Reagimi i Ramës vjen pasi përfaqësuesit e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla dhe Ilir Kerqeli, kanë dorëzuar të martën në Prokurorinë Speciale një denoncim lidhur me kontratën e ndriçimit publik “Smart”.
Nga LVV-ja janë ngritur dyshime për rritje të çmimeve në disa pozicione të kontratës, për të cilat pretendohet se kanë shkaktuar dëm në buxhetin e Komunës së Prishtinës. Sipas tyre, krahasimi i kontratave të vitit 2024 dhe 2025 tregon rritje të konsiderueshme të çmimeve për punë dhe pozicione të njëjta.