Rama publikon foton me Trump dhe thumbon kritikët: “U detyrova ta bëj me IA”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur kritikave lidhur me pjesëmarrjen e tij në pritjen në Nju Jork dhe mungesën e një takimi me presidentin amerikan, Donald Trump. Rama ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet përkrah Trumpit, duke pretenduar me ironi se imazhi është krijuar përmes inteligjencës artificiale,…

Lajme

01/10/2026 21:35

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur kritikave lidhur me pjesëmarrjen e tij në pritjen në Nju Jork dhe mungesën e një takimi me presidentin amerikan, Donald Trump.

Rama ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi ku shfaqet përkrah Trumpit, duke pretenduar me ironi se imazhi është krijuar përmes inteligjencës artificiale, transmeton lajmi.net.

Reagimi i tij vjen pas kritikave në Shqipëri se nuk kishte arritur të zhvillonte një takim me presidentin amerikan gjatë qëndrimit në Nju Jork.

“Meqë s’e takova dot, siç thanë ata që çfarë nuk thonë, po asgjë s’bëjnë e s’na bëjnë dot, u detyrova ta bëj me IA”, shkroi Rama.

Më tej, kryeministri shqiptar vazhdoi me një tjetër batutë ndaj kritikëve të tij.

“Po thuajuni atyre të bëjnë kujdes, se dro del që s’është IA dhe dalin prap si kokrrat e kandarit”, përfundoi Rama.

Postimi i tij është shoqëruar me fotografinë me Trump, ndërsa Rama e ka përdorur imazhin dhe ironinë për t’iu përgjigjur debatit të krijuar në Shqipëri rreth takimit të tij me presidentin amerikan./lajmi.net/