Rama e Vuçiq do të takohen në vjeshtë
Kryeministri shqiptar, Edi Rama pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Beograd, kurse kreu i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso e ka mirëpritur dhe përshëndetur takimin e tyre të ardhshëm.

Lajme
Lajmin për vizitën e tij në Beograd e bëri të ditur vetë kryeministri Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, i cili qëndroi sot në Tiranë.
Data dhe koha e qëndrimit pritet të bëhet e ditur së shpejti nga stafi i kryeministrit, por mësohet se ambasadat e të dy vendeve po punojnë intensivisht për realizimin e kësaj vizite.
Jose Manuel Barroso e ka përshëndetur dakordimin për vizitën e ardhshme të Ramës në Serbi, duke theksuar se në rajonin e Ballkanit duhet të nisë një erë e re bashkëpunimi në promovimin e paqes dhe fqinjësisë së mirë.
Dy ditë më parë, kryeministri Vuçiq i dërgoi një letër homologut të tij shqiptar, me të cilën e përgëzoi për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Barroson, të dielën në Beograd, Vuçiq deklaroi se i kishte dërguar një letër përgëzimi kryeministrit shqiptar për suksesin e Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, letër të cilën, sipas tij, Rama e kishte pritur me kënaqësi. Vuçiq shprehu besimin se do të takohej këtë vjeshtë me Ramën.