Rama: Bllokada e qeverisë ndaj Prishtinës është puro politike

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka folur për problemet në kryeqytet, lidhur me buxhetin, infrastrukturën, e çështje të tjera, të cilat përballen banorët e Prishtinës. Rama për buxhetin e komunës, për të cilin ka alarmuar dje, përmes një postimi në Facebook’, e ku kishte kritikuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, tha se…

Lajme

08/07/2025 18:39

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka folur për problemet në kryeqytet, lidhur me buxhetin, infrastrukturën, e çështje të tjera, të cilat përballen banorët e Prishtinës.

Rama për buxhetin e komunës, për të cilin ka alarmuar dje, përmes një postimi në Facebook’, e ku kishte kritikuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti është miratuar më 9 dhjetor të vitit të kaluar nga asambleja e kryeqytetit, me të cilin është planifikuar të punohet në vitin 2025.

 

Ai më tej tha se për miratimin e këtij buxheti LVV dhe PDK në nivelin  lokal kanë tentuar ta bllokojnë.

Rama sqaroi se në nëntor të 2024-tës Kuvendi Komunal pati miratuar buxhetin.

“Menjëherë pas aprovimit të buxhetit nga Kuvendi, ne i kemi shkruar ministrit që të ndërmarrë masa për të aprovuar buxhetin, sepse është çështje teknike, e cila dërgohet në Parlament, miratohet e vazhdon tutje dhe nuk është ndërmarrë asnjë masë, qoftë në janar, shkurt. Kurse pas zgjedhjeve tani thirren se nuk ka konstituim të Kuvendit dhe nuk mund të miratohet buxheti i vitit 2025 për kryeqytet, ndërsa na thonë që duhet punuar me buxhetit e vitit të kaluar”, deklaroi Rama në InfoPlus të RTK-së.

Ai më tej tha se edhe me fondin e vitit të kaluar bëhet bllokadë, teksa vuri në dukje se në cilat vija buxhetore i është lejuar të manovrojë.

“Nuk e miratojnë siç ceket në ligj 1/12, por vetëm në vija buxhetore që lejohen për vitin 2025. Pra, në njërën anë, nuk e pranojnë buxhetin e  vitit 2025 e, në anën tjetër, kur vjen puna për transferimin e fondeve nga buxheti i 2024-tës, nuk i transferojnë, sepse thonë që nuk janë të parashikuara në vitin 2025”.

 

Rama përmendi kontratat e nënshkruara me operatorë të ndryshëm në vitet e mëparshme, puna e të cilëve është kryer dhe duhet bërë pagesën, derisa vuri në dukje se borxhet ndaj këtyre operatorëve kryhen përmes përmbaruesve.

“Kjo ndikon në shterjen e subvencioneve, që na pamundëson të ndihmojmë fëmijët tanë në çerdhe, shkolla, në sigurimin e ushqimit për ta, që t’ju ndihmojmë personave në nevojë, mos të flasim për sportistë, artistët, bujqit, qendrat e  mjekësive familjare, nuk do të mund të kryejmë pagesat për rrymë, as ujë, etj.”, tha Rama, teksa shtoi se “nga kjo ministri janë bllokuar edhe të hyrat vetanake të komunës, e që ministri në detyrë, Murati, thotë që unë po rrej”.

Tutje, Rama sqaroi se çdo fond i kryeqytetit kalon nëpërmjet qeverisë.

“Kontot, fondet transferohen dhe na lejohet neve që t’i shohim dhe t’i përdorim prej nivelit qendror. Pra ata i kontrollojnë këto mekanizma dhe na bllokojnë neve për të manovruar”.

“Kjo bllokadë është puro politike. Një ministër gjen arsye të kota për ta bllokuar gjithë kryeqytetin, kur një shtet, një vend, nuk e ka gjetur mundësinë e zhbllokimit të buxhetit të kryeqytetit, por gjen metoda qysh me bllokua e dhe ma shumë edhe të vitit 2024, pra kush është rreni këtu? Ai është rrenci!”, tha Rama.

Ai bëri të ditur se pikërisht sot është dashur të ekzekutohen pagesat për familjet në nevojë, por në mungesë të fondeve nga bllokada që po bën qeveria, nuk janë realizuar.

 

Rama përmendi edhe projekte të tjera që po pengohen nga niveli qendror, siç është infrastruktura rrugore, teksa përmendi unazat e trafikut rrugor. Ai shtoi se fondet janë të gatshme nga ndërkombëtarët (IBRD), ku, sipas tij, janë siguruar rreth 206 milion euro, prej nga 82.4 milionë euro janë falas.

”E ministri Murati më pati thënë: Pse me ta ba ty, kryetar?”, deklaroi Rama, duke shtuar se ”ato rrugë unazore nuk janë të miat dhe nuk janë për mua, por për të gjithë qytetarët e kryeqytetit”.

”Përkundër të gjitha bllokadave, ne kemi arritur të bëjmë realizimin më të madh në historinë e kryeqytetit, sepse kemi realizuar mbi 80% të projekteve dhe kemi realizuar buxhet historik të kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Ai megjithatë përmendi padinë që do të bëjë ndaj qeverisjes se nivelit qendror për bllokadë në punën në sheshin Xhorxh Bush dhe në bllokadën e ‘platformës’ dhe në atë të buxhetit.

RamaKaosi  rrugët e Prishtinës është vetëm një percepcion

Lidhur me kaosin në infrastrukturën rrugore, në parkingjet e bllokuara, kryetari Rama vuri në pah se më 2021 kanë qenë të regjistruara mbi 21.000 makina, ndërsa më 2025 janë të regjistruara mbi 70.000 makina.

Ai shtoi se kur të jetë në funksion unaza e brendshme e kryeqytetit e që, sipas tij, pritet të lëshohet për qarkullim në fund të gushtit, infrastruktura rrugore do të përmirësohet dukshëm më shumë.

”Kaos në rrugët e Prishtinës është vetëm një percepcion, sepse në të vërtetë nuk është”, deklaroi Rama, teksa shtoi se në krahasim me vitin 2021, tani kemi një trend të përmirësimit në trafikun rrugor.

”Kryeqyteti është një organizëm i gjallë, për të cilin duhet të punohet për të gjatë gjithë kohës. Ne kemi një vizion dhe mision për ta transformuar kryeqytetin”, shtoi Rama.

Kurse për parkingjet private, të cilat janë mbyllur sot, Rama sqaroi se pronarët e parkingjeve kanë pasur kohë një vit për t’u futur në sistem dhe disa prej tyre nuk i kanë përfillur ato rregulloret dhe tani e tutje pritet që edhe ato parkingje të futen në sistem dhe të jenë funksionale në bazë ligjore. Ai tha se kjo çështje do të rregullohet. Sipas tij, ka parkingje që kanë penguar trafikun.

E lidhur me pastrimin e  kryeqytetit, Rama tha se është lidhur një marrëveshje për këtë çështje me ndërmarrjen Pastrimi, që mbeturinat të hiqen në të gjitha pjesët e kryeqytetit dhe ”në masë të madhe kjo është duke u realizuar”, theksoi Rama.

Ai tha se ka pasur sabotazh në këtë drejtim duke i nxitur punëtorët e Pastrimit për të protestuar para ndërtesës së komunës, duke i paguar që të qëndrojnë aty.

Në fund Rama përmendi disa suksese në periudhën e qeverisjes së tij në komunë, si: mësimin tërëditor, dixhitalizimin e procesit mësimor.

Tutje, Rama foli për auditimin, ku janë gjetur disa parregullsi që, sipas tij, këto gjetje nuk janë të jashtëligjshme dhe bëri të ditur se këto janë nga shkaku i bllokimit të fondeve nga ana e qeverisë. ”Këto janë bërë qëllimshëm për ta vënën në pozita të këqija kryeqytetin”, deklaroi Rama.

Rama konfirmon rikandidimin për  parin e Prishtinës

Kryetari i Komunës  PrishtinësPërparim Rama bëri të ditur rikandidimin për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokalet të tetori, ngaqë, sipas tij, i duhen tetë vjet për ta ndryshuar pamjen e kryeqytetit.

”Askush nuk mund ta ndalë zhvillimin dhe transformimin e kryeqytetit dhe që katër vitet e ardhshme do të jenë spektakulare në relacion të transformimit të Prishtinës”, tha Rama.

Rama premtoi se do ta mbështesë edhe sivjet festivalin e këngës në RTK.

“Ne e mbështesim ashtu siç kemi mbështetur edhe herëve të tjera dhe nuk kam dyshim se sivjet do të jetë edhe më i mirë”, tha Rama në fund të intervistës në “InfoPlus në RTK.