Rahimi nga ARKEP ngrit shqetësime për borxhet e Telekomit dhe RTK-së: IPKO s’do të shitet për tre vitet e ardhshme

Drejtori i bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Nazim Rahimi ka thënë se situata me pandeminë Covid 19 ka ndikuar në planifikimin e të hyrave në këtë institucion.

Lajme

04/08/2021 12:44

Ai duke raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ngriti shqetësimin edhe me grumbullimin e borxheve nga Telekomi dhe Radio Televizioni i Kosovës. Derisa, tha se në bazë të takimeve që ka pasur, operatori “IPKO” nuk do të shitet të paktën në tri vitet e ardhshme.

Rahimi thotë se rrezikohet falimentimi i Telekomit, nëse borxhi i kësaj të fundit dërgohet tek përmbaruesi.

Për këtë arsye, ai kërkoi mbështetje edhe nga Qeveria për gjetjen e një zgjidhje.

“Borxhi 10 milionë euro nuk mund të paguhet menjëherë sepse është vlera e lartë, por një këst mund të paguhet dhe duhet të gjendet zgjidhja edhe nga ministritë e linjës”, tha ai.

Shqetësim të njëjtë ngritën edhe anëtarët e komisionit për buxhet.

I pyetur nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti për shitjen e IPKO-s, Rahimi tha se i është konfirmuar se nuk do të shitet e njëjta.

“Neve si institucion na kanë konfirmuar se IPKO nuk do të shitet, të paktën në tri vitet e ardhshme”, tha ai.