Ragip Mustafa i LDK-së rikthehet në Qeveri, kompania e tij fiton tenderin mbi 240 mijë euro

Kompania e një biznesmeni të afërt me LDK-në, pronar i “Beni Dona”-s, ka gjetur sërish terren në Qeverinë e Kosovës, përkundër pakënaqësive të shprehura më herët nga eksponentë të Vetëvendosjes. Tash, kjo kompani pritet të futet në ndërtesat qeveritare përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga Xhelal Sveçla, për furnizim me ushqim për…

Lajme

22/01/2026 10:29

Kompania e një biznesmeni të afërt me LDK-në, pronar i “Beni Dona”-s, ka gjetur sërish terren në Qeverinë e Kosovës, përkundër pakënaqësive të shprehura më herët nga eksponentë të Vetëvendosjes. Tash, kjo kompani pritet të futet në ndërtesat qeveritare përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga Xhelal Sveçla, për furnizim me ushqim për tri vite.

Tenderi ishte iniciuar në shtator të vitit të kaluar, por kishte hasur në ankesa. “Shërbime hoteliere – bufe për objektin qeveritar ish Rilindje (MPB, MD, MAPL, MMPHI)”, quhet tenderi që pritet të shndërrohet në kontratë pas dy ditësh ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kompanisë “Beni Dona Plast” SH.P.K.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 242 mijë euro për tre vjet, ndërsa çmimi për njësi është 15.5 euro. Pra, për rreth 20 produkte kompania ka vendosur këtë çmim të përgjithshëm, që, bazuar në çmimet e tregut, konsiderohet jashtëzakonisht i ulët.

Në garë për këtë tender kishin qenë edhe Grupi i Operatorëve Ekonomikë: ISUF MUSLIU B.I.; Safet Igrishta B.I.; Muhamet Rashica, nga Vushtrria, me ofertë prej 16.44 euro.

Kompania “Beni Dona” është në pronësi të anëtarit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Ragip Mustafa. Eksponentë të partisë në pushtet kanë pasur telashe të vazhdueshme me këtë kompani, sidomos në vitet e fundit kur bëhej fjalë për furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Deputeti Sali Zyba kishte bërë një postim në rrjetin social Facebook më 15 tetor 2024, ku ishte marrë me kompaninë “Beni Dona”, shkruan Demokracia.com.


Zyba, deputet i Vetëvendosjes, shkroi: “Ragipi i njohur si ‘Zhaba’, pronari i Beni-Donës, hap hotel në Golem. Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Enver Hoxhaj dhe Edi Rama musafirë të tij. Akuzat për ushqimin në FSK nuk janë që ushtarët ‘nuk kanë’ ushqim, por që shoku i tyre mbeti pa tender”, duke publikuar edhe një fotografi.

Nuk ishte hera e parë që Zyba përdorte Facebook-un për qepime të tilla. Disa ditë para se të shkruante këtë status, ai iu kundërvu disa deputetëve që kishin kritikuar kequshqyerjen që, sipas tyre, u servohet ushtarëve të FSK-së.

“Hykmete, Doarsa e ti, Rukiq, po edhe ju të tjerë reagues, nuk keni me mujtë me e helmu ushtrinë duke përfituar milionat për kompani të afërta me ju. Ka përfunduar kjo punë”, kishte deklaruar ai.

Kritikë ndaj kompanisë ishin shfaqur edhe eksponentë të tjerë të partisë në pushtet.