Quni iu bën apel për pajtim Abdixhikut me Muhaxherin e Ahmetin: Është koha e afrimit të njëri tjetrit dhe jo e largimit
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni ka reaguar në lidhje me kërkesat që Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti i LDK-së i kanë drejtuar kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhikut për dorëheqje. Quni përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shtëpia politike e LDK-së ka qenë dhe mbetet shtylla e shtetndërtimit dhe e demokracisë…
Lajme
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Anton Quni ka reaguar në lidhje me kërkesat që Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti i LDK-së i kanë drejtuar kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhikut për dorëheqje.
Quni përmes një postimi në Facebook, ka thënë se shtëpia politike e LDK-së ka qenë dhe mbetet shtylla e shtetndërtimit dhe e demokracisë në Kosovë.
Ai ka thënë se forca e tyre nuk buron nga mungesa e debateve apo e mendimeve ndryshe, por nga aftësia e jashtëzakonshme për t’i tejkaluar ato me maturi dhe respekt reciprok.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet të plotë. Kemi nevojë të bëhemi shembulli më i mirë se si çdo pakënaqësi, çdo dallim dhe çdo sfidë e zgjidhim brenda familjes sonë – brenda shtëpisë së madhe të LDK-së. Vendi i bashkimit është tryeza jonë e përbashkët e bisedimit dhe e mirëkuptimit, ku interesat e shtëpisë sonë qëndrojnë gjithmonë mbi çdo interes tjetër. Unë jam plotësisht për bashkëpunimin e ngushtë mes Lumirit, Gazit, Imriut dhe secilit koleg e veprimtar që i rreh zemra për rrugëtimin tonë”, ka shkruar Quni.
Ai ka thënë se është koha e afrimit të njëri tjetrit dhe jo e largimit.
”Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët. Ju ftoj të gjithëve të më punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në. Vetëm të bashkuar, me urtësi dhe me besim tek njëri-tjetri, mund të jemi udhërrëfyesi dhe forca që i duhet vendit tonë. Na priftë e mbara!”, ka shtuar Quni. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: