Nga “LDK e bashkuar” në “si nuk u ngopën kurrë?” – Kriza e LDK-së tani del edhe në publik, por kush po kërkon dorëheqjen e Abdixhikut dhe kush jo?
Lidhja Demokratike në Kosovë, partia e tretë më e madhe në vend bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, po përballet me probleme e debate serioze brenda saj. Që nga rezultati i dobët i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, këto probleme kishin filluar mes tyre, e që dërguan liderin e kësaj partie të ofroj dorëheqjen…
Lajme
Lidhja Demokratike në Kosovë, partia e tretë më e madhe në vend bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, po përballet me probleme e debate serioze brenda saj.
Që nga rezultati i dobët i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, këto probleme kishin filluar mes tyre, e që dërguan liderin e kësaj partie të ofroj dorëheqjen e cila nuk u pranua më pas në Kuvendin e 31 janarit.
Por, debati për dorëheqjen e tij nuk përfundoi me 31 dhjetor, ai u rikthye përsëri pas rezultatit jo të kënaqshëm për partinë në zgjedhjet e 7 qershorit, rezultat ky që e ktheu LDK-në në shkurt 2025 kur edhe pati të njëjtën përqindje.
Dega e LDK-së në Pejë, ajo në Lipjan si dhe dega e II-të e LDK-së në Prishtinë, kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, si përgjegjësi për këtë rezultat.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë. Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja. Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në reagimin e LDK-së në Pejë.
Njëjtë me ta, këtë kërkesë e kanë bërë publike përmes një postimi në Facebook edhe dega e LDK në Lipjan.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në reagim.
Dega e II-të e LDK-së në Prishtinë, ka kërkuar dorëheqje nga Abdixhiku që t’u hapë rrugë ndryshimeve të domosdoshme në LDK.
“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet në deklaratë.
Kërkesat e tyre për dorëheqje i ka shpërndarë të gjitha në rrjetin social Facebook, edhe deputeti i zgjedhur në zgjedhjet e 7 qershorit Arben Gashi.
Përveç tij, haptas e ka thënë se Abdixhiku duhet të jap dorëheqje ish deputetja e LDK-së dhe nënkryetarja e degës së partisë në Vushtrri, Rrezarta Krasniqi.
“Duhet me u tërheq, sepse ka humbur tri palë zgjedhje me radhë. Kemi pritur një bashkim të madh të së djathtës dhe e pat që nuk patëm shumë sukses. Të gjithë ata njerëz i ka sjellë kryetari, i kemi dhënë të drejtën me i pru të gjithë ata njerëz dhe pastaj rezultati është humbje”, deklaroi Krasniqi.
Njëzëri sot u deklarua edhe Hykmete Bajrami. Bajrami, Avdullah Hoti dhe Arben Gashi në fakt prej kohësh s’kanë pajtim për thuajse asgjë në LDK me Abdixhikun.
Bajrami me anë të një postimi ka thënë se qëndrimi i saj që e kishte dhënë para disa muajsh nuk ka ndryshuar, transmeton lajmi.net.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme.”, u shpreh ajo në postimin e bërë.
Ai përmes një postimi në Facebook, kërkesën për dorëheqje tha se do duhej ta bënin vetë kryetarët e degëve në Pejë e Lipjan, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti pasi sipas tij LDK doli e treta në këto komuna në zgjedhje nacionale, ndonëse në zgjedhje lokale të dy kanë fituar me radhë disa mandate.
Ai e ka nisur reagimin e tij me pyetjen “si nuk u ngopën kurrë?!”, shkruan lajmi.net.
“I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë. Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se çështjen e dorëheqjes e ka trajtuar në Kuvendin e 31 janarit, ku ka thënë se përballë tij ishte edhe Gazmend Muhaxhiri edhe Imri Ahmeti nga të cilët ka kërkuar dorëheqjen e tyre.
“Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.
“Sabotues të qëllimshëm” i ka quajtur Abdixhiku këta të fundit, teksa ka thënë se e siguron anëtarësinë e gjerë të LDK-së që nuk do të lejojnë që projektet e ndarjeve të kësaj partie të marrin formë.
”Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash. Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-së të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së”, ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se LDK nuk është konfederatë e interesave lokale, as platformë e karrierave individuale por parti nacionale e vetes dhe e asnjë partie tjetër.
“Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne.Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!”, ka shtuar Abdixhiku.
Në anën e tij, dolën personazhe me emër brenda partisë.
Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili përmes një postimi në Facebook, bëri thirrje për unitet brenda partisë.
“LDK-ja nuk eshte prone e askujt. As e kryetarit. As e degeve. As e atyre qe ne perballjen tone me pushtetin, kritikonin vetem LDK-ne. LDK-ja eshte shtepi politike. E ne momente te ndjeshme, shtepia nuk rrenohet pse ka nevoje per riparim. Ajo forcohet. Po, rezultati kerkon reflektim. Por reflektimi duhet te na bashkoje, jo te na copetoje. Fundja, pergjegjesi kemi te gjithe, njesoj!”, ka shkruar Kica-Xhelili.