Qorrolli: Qeveria në buxhetin e 2026 nuk ka paraparë rritjen e pagave – janë vetëm ndihma sikur “babadimri”

Adem Qorrolli, ekspert i ekonomisë në EURO n’T7, ka thënë se qeveria në detyrë, në buxhetin e propozuar, nuk ka paraparë rritje të koeficientit për paga, por vetëm premtime boshe, sikur ai për pagën e 13-të. Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si kjo qeveri në detyrë ka procesuar me buxhetin, duke shkelur vendimin e…

Lajme

07/11/2025 21:42

Adem Qorrolli, ekspert i ekonomisë në EURO n’T7, ka thënë se qeveria në detyrë, në buxhetin e propozuar, nuk ka paraparë rritje të koeficientit për paga, por vetëm premtime boshe, sikur ai për pagën e 13-të.

Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si kjo qeveri në detyrë ka procesuar me buxhetin, duke shkelur vendimin e Gjykatës Supreme dhe duke mos respektuar asnjë normë ligjore apo rregullative.

“Në buxhetin e vitit 2026, Albin Kurti nuk ka paraparë rritjen e koeficientit për paga të shërbyesve civilë, por vetëm disa ndihma sikur të ishte babadimër e jo kryeministër. Aty nuk janë as minatorët e Trepçës, të cilët me muaj nuk marrin paga; nuk janë po ashtu as pensionistët kontributdhënës, pensionet e FSK-së, pensionet për veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së, e as familjet e dëshmorëve. Për këto kategori nuk është paraparë as rritje e pagës, as e pensioneve, e as ndarje e ndihmave të njëhershme, as 50 e as 100 euro”, ka thënë Qorrolli.

Qorrolli ka shtuar se, edhe pse është premtuar me vite sigurimi shëndetësor, i njëjti nuk është paraparë as në projektbuxhetin e vitit 2026, sikurse që nuk janë paraparë as mbështetje qoftë ligjore, qoftë financiare për shumë kategori të tjera në nevojë.

“Nuk ka sigurim shëndetësor as në vitin 2026, sikurse që nuk ka as ndryshim të ligjit për lehona, ku barra e pagës për një vit i kalon shtetit dhe çerdhet të bëhen për katër vjet falas. Sikur që nuk janë planifikuar investime kapitale nga qeveria për komuna, sepse ato nuk janë konsultuar gjatë propozimit të projektbuxhetit. Në projektbuxhetin e prezantuar nuk është as paga e 13-të, sepse edhe vetë Kurti e di shumë mirë që ajo punë nuk bëhet”, ka shtuar Qorrolli.

Duke marrë për bazë gjendjen me paga në RTK, Qorrolli ka thënë se, në vend se shteti të ishte garantues i të drejtave të punëtorëve, në fakt po del se shteti është shkelësi më i madh i të drejtave të tyre.