Qeverisje amatore me ekonominë
Njohës të mirë të ekonimisë thonë se për 14 vjet pas çlirimit të Kosovës, partitë politike që kanë qenë në pushtet nuk kanë mundur t'i zgjidhin problemet ekonomike dhe nuk kanë pasur vizion si të zhvillohet ekonomia.
Lajme
Ekspertët e ekonomisë thonë se deri më tani në Kosovë ka pasur qeverisje amatore sa i përket ekonomisë, pa analiza e statistika të mira.
Ata thonë se për 14 vjet pas çlirimit të Kosovës partitë politike që kanë qenë në pushtet nuk kanë mundur t’i zgjidhin problemet ekonomike dhe nuk kanë pasur vizion si të zhvillohet ekonomia, raporton Kosova Sot.
Muhamet Mustafa nga Grupi E 15 i ka gazetën se asnjëra nga qeveritë e deritanishme që e ka udhëhequr vendin nuk ka arritur që të përmirësojë qeverisjen makro-ekonomike në aspektin e ndryshimeve dhe transformimeve ekonomike të domosdoshme të shoqërisë për zhvillim.
“Qasja në zhvillimin ekonomik ka qenë një qasje fragmentare dhe një qasje pa i vlerësuar efektet, prej rastit të rast, pra ‘ad-hoc’. Natyrisht, si pasojë e kësaj, Kosova nuk ka arritur që të bëjë transformimet e nevojshme ekonomike, as në aspektin e rritjes ekonomike, as në aspektin e ndryshimeve strukturale, reformave në secilin segment”.
“Është filluar diçka, mirëpo puna ka mbetur e papërfunduar dhe pa i vënë efektet e duhura, me shumë telashe që po na përcjellin”.
Për më tepër, ai ka theksuar se deri më tani në Kosovë ka pasur qeverisje amatore me ekonominë, pa analiza e statistika të mira.
Edhe profesori i ekonomisë, Muhament Sadiku,ka thënë për Kosova Sot se nga paslufta e këndej asnjëra nga subjektet politike, të cilat e kanë qeverisur vendin, nuk kanë treguar vizion të qartë ekonomik për shtetin.
“Fakti se asnjëra nga partitë politike, të cilat kanë qenë në pushtet, nuk kanë mundur t’i zgjidhin problemet ekonomike dhe vetë fakti që po përballemi me sfida të njëjta dhe barriera të njëjta për zhvillimin e bizneseve, ku asnjëra palë nuk ka bërë ndryshime në ekonomi, është edhe si rezultat i mungesës së një vizioni të qartë se si krijohen ndryshimet në ekonomi dhe si zgjidhen problemet praktike”.
Sipas tij, ende mungon një vizion i qëndrueshëm, i cili i bashkon përpjekjet kombëtare dhe ndërkombëtare për të ndërtuar një të ardhme ekonomike të qëndrueshme të Kosovës.