Qeverisë ia merr mbi 100 milionë euro kriza energjetike që s’po kapërcehet

Qeverisë së legjislaturës së tetë i janë dalë mbi 100 milionë euro nga buxheti që prej fillimit të krizës energjetike për tejkalimin e saj.

Lajme

21/01/2022 23:28

Qeveria e Kosovës ka njoftuar përgjatë ditës së sotme se ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej dhjetë milionë euro për zbatimin e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, shkruan lajmi.net.

Siç bëri të ditur njoftimi, ato janë parë për tejkalimin e krizës energjetike.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për KEK-un, për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike në vend.

LEXO EDHE: 

Veç gjermanit, angazhohet edhe eksperti vendor i pensionuar për riparimin e turbinës në KEK

Në po të njëjtin muaj, Qeveria ndau 4.5 milionë euro për pensionistët dhe familjet në asistencë sociale, për të mbuluar vlerën e pagesës së faturave të energjisë elektrike.

Së fundmi, Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se do të ndajë 75 milionë euro për të luftimin e krizës energjetike. Kjo, pasi ZRRE-ja ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë.

Me subvencionimin e paraparë Qeverisë, tarifat për biznese dhe 600 kilovatet e parë të amvisërisë do të vazhdojnë të faturohen me tarifat e njëjta që kanë qenë, pra nuk do të ketë shtrenjtim.

Megjithatë, Qeveria nuk e ka vendosur se nga cili kod buxhetor do t’i sigurojë mjetet e zotuara prej 75 milionë eurosh për subvencionimin e tarifave të shtrenjtuara për rrymën e shpenzuar deri në 600 kWH.

Kriza energjetike, përfshirë edhe 75 milionë eurot e planifikuara, ia ka marrë Qeverisë deri më tani mbi 100 milionë euro.

Më 24 dhjetor, Qeveria vendosi masa emergjente në furnizim me energji elektrike, të cilat do të vlejnë maksimalisht 60 ditë. /Lajmi.net/