Qeveria shtyn për vitin 2026 zbatimin e normës tatimore progresive për prona komerciale
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Ministria e Financave ka shtyrë për vitin 2026 për zbatimin e normës tatimore progresive për prona komerciale. Sipas Ligjit për Tatimit në pronë, kjo normë është paraparë të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, apo rreth një muaj para zgjedhjeve. Në njoftimin e AKK-së…
Lajme
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se Ministria e Financave ka shtyrë për vitin 2026 për zbatimin e normës tatimore progresive për prona komerciale. Sipas Ligjit për Tatimit në pronë, kjo normë është paraparë të fillojë së zbatuari nga janari i vitit të ardhshëm, apo rreth një muaj para zgjedhjeve.
Në njoftimin e AKK-së thuhet se ky vendim është marrë pas presionit dhe insistimit në vazhdimësi pasi sipas tyre kjo normë është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale.
“Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoj se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026”, thuhet në njoftim.
Tutje nga Asociacioni kanë thënë se e mirëpresin këtë vendim të Qeverisë duke vlerësuar se kërkesat e tyre kanë qenë të arsyeshme dhe të argumentuara me fakte.
Derisa nga AKK, kanë njoftuar edhe për uljen në tatim në pronë të qytetarëve për rreth 33 për qind.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës mirëpret këtë vendim të Qeverisë duke vlerësuar se kërkesa jonë ka qenë e arsyeshme dhe e argumentuar me fakte se kjo është e panevojshme në këtë fazë. Vlen poashtu të ceket se shumica e komunave të Republikës së Kosovës ia kanë ulur tatimin në pronë qytetarëve për rreth 33 %”, thuhet në njoftim.
Me Ligjin për Tatimin në Pronë, kjo normë është paraparë të fillojë së zbatuari nga janari i vitit 2025, ashtu që:
Pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%,
Pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%,
Pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%,
Pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%,
Pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%. /Lajmi.net/