Qeveria në detyrë e Kosovës: Izraeli e Irani të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës, Irani të ndaloj veprimet hibdride

Qeveria në detyrë e Kosovës ka dal me një reagim për ngjarjet në Lindjen e Mesme. Në komunikatën e lëshuar për media, Qeveria në detyrë tha se po i përcjellë me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit e Iranit, shkruan lajmi.net Tutje, Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Iranit të ndaloj veprimet hibride. “Kosova beson…

Lajme

14/06/2025 18:52

Qeveria në detyrë e Kosovës ka dal me një reagim për ngjarjet në Lindjen e Mesme.

Në komunikatën e lëshuar për media, Qeveria në detyrë tha se po i përcjellë me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit e Iranit, shkruan lajmi.net

Tutje, Qeveria e Kosovës i ka kërkuar Iranit të ndaloj veprimet hibride.

“Kosova beson fuqishëm se zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe për të parandaluar pasoja më të gjera rajonale e globale.”, thuhet ndër të tjera në reagimin e lëshuar për media.

Komunikata e plotë:

Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit

Prishtinë, 14 qershor 2025

Republika e Kosovës po e përcjell me shqetësim situatën e tensionuar mes Izraelit dhe Iranit dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të përmbahen, me qëllim të shmangies së përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës së sigurisë në rajon.

Irani ka përshpejtuar pasurimin e uraniumit saqë edhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike deklaroi të enjten se Irani nuk po përmbushte detyrimet e tij për mospërhapjen bërthamore. Prandaj, Irani duhet të ndalojë veprimet hibride që cenojnë stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe t’i përmbahet detyrimeve të IAEA.

Kosova beson fuqishëm se zgjidhja diplomatike është rruga e duhur për adresimin e çështjeve të sigurisë, ndaljen e dhunës dhe për të parandaluar pasoja më të gjera rajonale e globale.

Është thelbësore që jeta e civilëve të mbrohet në çdo rrethanë. U bëjmë thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos atyre që ndodhen apo kanë kontakte në rajon, të ushtrojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe ato të autoriteteve vendore ku ndodhen.

Në një botë që ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet dhe paqe, përshkallëzimi i dhunës mund të shkaktojë jo vetëm tragjedi njerëzore për palët e përfshira, por edhe paqëndrueshmëri të sigurisë dhe financiare globale.

Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare dhe shpreh solidaritet me të gjithë qytetarët e prekur nga kjo situatë./lajmi.net/