Qeveria merr përsipër borxhet e ish-Jugosllavisë

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të marrë përsipër obligimet e veta në raport me borxhet e vjetra të ish-Jugosllavisë. Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se pa u definuar borxhet asnjë pagesë nuk do të bëhet.

Lajme

29/04/2014 20:37

Qeveria e Kosovës është e gatshme që të marrë përsipër borxhet e krijuara në ish-Jugosllavi, por vetëm pas procesit të suksesionit në një nga gjykatat e arbitrazhit.

Japonia, Gjermani dhe Banka Botërore kanë kërkuar që të ju kthehen borxhet e vjetra të ish-Jugosllavisë

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka thënë se shteti u ka dhënë nga një letër garantuese me të cilën konfirmohet marrja përsipër e borxheve.

“Kjo çështje është zgjidhur me Gjermaninë në këtë formë, edhe me Bankën Botërore. Pra, po flasim për borxhe të vjetra të cilat janë krijuar në ish-Jugosllavi dhe për ato borxhet e tjera që i kemi marrë ne si shtet. Por borxhet duhet të definohen, pa u definuar ato, ne asnjë pagesë nuk do të bëjmë. Kemi marrë obligim që kur kjo të definohet, Kosova do t’i shlyjë detyrimet e veta në raport me shtetet mike”, ka thënë Beqaj për KTV.