Qeveria Kurti emëron një anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje në bordin e ri të SHSKUK-së

Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka shkarkuar Bordin Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës.

Lajme

28/03/2020 11:25

Shkarkimi i Bordit Drejtues është bërë me arsyetimin se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave. Pas shkarkimit, Qeveria ka emëruar anëtarët e rinj.

Por, lajmi.net ka parë se njëri nga të emëruarit është pjesëtar Lëvizjes Vetëvendosje. Bëhet fjalë për Mirsad Shkretën, i cili është edhe anëtar i përgjithshëm i Këshillit drejtues të LVV-së, edhe ish-kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie.

Po ashtu, Mirsad Shkreta, aktualisht është këshilltar i ministrit, Arben Vitia.

Ndër të emëruarit tjetër është edhe, Sadete Hadri, e cila është drejtoreshë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Në këtë pozitë ajo ishte emëruar, në kohën kur në Komunën e Prishtinës ishte drejtor i shëndetësisë, ministri aktual në detyrë i shëndetësisë, Arben Vitia.

Në mbledhjen e 17-të, Qeveria Kurti ka emëruar Bordin e ri në këtë përbërje: Dr. Agreta Gecaj – Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Dr. Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike; Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore; Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë; Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar, të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK-së dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK-së.

Ndërkohë, Bordi paraprak ka pasur mandat edhe disa muaj.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e datës 6 tetor 2017, kishte miratuar propozimin për emërimin e Bordit të ri Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Gjashtë anëtarë të këtij Bordi qenë emëruar për mandatin 3 vjeçar, ndërsa njëri anëtar emërohet në bazë të rotacionit për afatin 6 mujor. Bordit i shkarkuar ka qenë në përbërje të: Dr. Naser Ramadani, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike;-  Kryesues i zgjedhur; Dr. Fatmir Dragidella, Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Një anëtar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës; Një anëtar nga Spitalet  e Përgjithshme, në bazë të rotacionit; Dr. Mirdita Hajdari, Shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor; Ardian Ferizi, Ministria e Shëndetësisë; Enver Gashi- Drejtor financiar- ekspert financiar i bordit drejtues, ekspert i menaxhmentit shëndetësor i zgjedhur me konkurs.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në shumë deklarime publike ishte zotuar se në borde nuk do të emërojë njerëz të politikës. /Lajmi.net/