Qeveria Kurti e krijon “armikun” e ri – Deklaratat akuzuese dhe qortuese që ekzekutivi në detyrë i bëri kundër bizneseve pas protestës
Qeveria Kurti ka arritur të krijoj një “armik” të ri. Protesta e bizneseve kundër vendimit të ZRrE-së sot nuk i ka pëlqyer pushtetit që udhëhiqet nga Albin Kurti, shkruan lajmi.net Për dy orë u bllokuan hyrje-daljet e Prishtinë. Kjo protestë e bizneseve ishte kundër vendimit të ZRrE-së që morën vendim për liberalizimi të tregut të…
Lajme
Qeveria Kurti ka arritur të krijoj një “armik” të ri.
Protesta e bizneseve kundër vendimit të ZRrE-së sot nuk i ka pëlqyer pushtetit që udhëhiqet nga Albin Kurti, shkruan lajmi.net
Për dy orë u bllokuan hyrje-daljet e Prishtinë. Kjo protestë e bizneseve ishte kundër vendimit të ZRrE-së që morën vendim për liberalizimi të tregut të energjisë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti u tregua i ashpër kundër bizneseve, duke e krahasuar protestën e tyre me barrikadat e kryekriminelit, Milan Radojçiq në veri të vendit.
“Koha për barrikada ka perënduar, i kemi hequr kudo që ishin ato. Oda Ekonomike që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Por ajo çka nuk po iu tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, tha kryeministri në mbledhjen e qeverisë.
Tutje, Kurti tha se ky proces nuk është i befasishëm dhe se bizneset duhej të përgatiteshin.
Por, nuk mjaftoi vetëm ky sulm ndaj bizneseve. Ndaj tyre, në linjë të njëjtë ishte edhe ministrja në detyrë, Artan Rizvanolli.
Ajo akuzoi se disa biznese kanë zgjedhur luftën politike.
“Kemi dërguar ftesë që të kemi takim sot në orën 13:00. Bizneset kanë presion nga Oda Ekonomike e Kosovës për të mos marrë pjesë në takime, për të mos nënshkruar oferta me furnizues dhe për të dalë në protesta Disa furnizues kanë thënë se hezitojnë të vijnë në takimin e sotëm për shkak se nuk ndjehen mirë në një pozitë të tillë se nga disa biznese dhe oda i bëjnë të ndjehen sikurse po e marrin njërën anë e jo atë të luftës politike që ka zgjedh Oda Ekonomike e disa të tjerë”, tha Rizvanolli.
Përveç anëtarëve të qeverisë, kritika e akuza ndaj bizneseve pati edhe nga deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza me anë të një postimi ka dalë kundër protestës së bizneseve, të cilët po kërkojnë të shpëtojnë nga shtrenjtimi enorm i energjisë elektrike.
Fejza me anë të një shkrimi ka pretenduar se partia që ajo përfaqëson është në anën e punëtorëve, prodhuesve, shtetit e qytetarëve.
“Tatimin në fitim e deklarojnë shumë të ulët. Edhe më ulët i paguajnë punëtorët edhe më e ulët ti detyrosh të protestojnë për fitimin e shefave. Ne jemi me punëtorët, ne jemi me prodhuesit, me shtetin e me qytetarët!”, ka deklaruar ajo.
Kurse, deputeti i VV-së, Dimal Basha në një prononcim për media pas seancës së Kuvendit u shpreh se vendimi i ZRrE-së nuk i ka zënë në befasi bizneset.
“Kjo për të dalur bizneset është në krejt vendet e ndryshme dhe është një ligj që tash e tetë vite pritet që të implementohet. Bizneset që po dalin në treg të hapur i kanë mbi 1 miliard euro fitim në vit, nuk po them që kjo nuk mund të ndikojë pak në çmime, por megjithatë jemi duke folur për profit, jo për qarkullim. Mendoj që kjo ka qenë çështje kohësh, ka qenë që 8 vite. Mendoj që nuk i ka zënë krejt në befasi, se bizneset është dashur që të përgatiten pak më herët. Por megjithatë qeveria mendoj që duhet me gjetë iniciativa dhe është duke e bërë Ministria e Ekonomisë për t’i ndihmuar”, tha ai./lajmi.net/