Qeveria e Kosovës zgjat afatin e strehimit për refugjatët dhe kategoritë e mbrojtura

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektrregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 09/2019 për Integrimin e të Huajve, e cila parasheh zgjatjen e afatit të strehimit elementar për kategoritë e mbrojtura ndërkombëtarisht. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ndryshimi është bërë për shkak të vështirësive të integrimit të këtyre personave edhe…

Lajme

20/04/2026 09:33

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektrregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr. 09/2019 për Integrimin e të Huajve, e cila parasheh zgjatjen e afatit të strehimit elementar për kategoritë e mbrojtura ndërkombëtarisht.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se ndryshimi është bërë për shkak të vështirësive të integrimit të këtyre personave edhe pas përfundimit të afatit aktual dyvjeçar.

“Ky plotësim-ndryshim rregulloreje ka për qëllim mundësimin e zgjatjes së afatit të strehimit elementar për personat me status refugjati, personat me status të mbrojtjes plotësuese, si dhe personat me mbrojtje të përkohshme përtej periudhës dy-vjeçare. Sipas rregullores në fuqi, këtyre kategorive u sigurohet strehim elementar deri në dy vite. Megjithatë, praktika ka dëshmuar se një numër i konsiderueshëm i këtyre personave, edhe pas përfundimit të këtij afati, nuk kanë arritur të integrohen plotësisht, çka ka krijuar nevojën e ndryshimit të kësaj dispozite dhe zgjatjen e afatit të strehimit”, tha ai.