“Qeveri më antikombëtare nuk besoj qe ka më pas Kosova” – Supremja rrëzon gjobën 5500 euro ndaj PDK-së nga PZAP për këtë deklaratë të Lushtakut
Gjykata Supreme, e ka rrëzuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e cila e ka gjobitur me 5500 euro PDK-në, pas ankesës së LVV-së. Kjo gjobë ka ardhur, pasi që LVV është ankuar në PZAP për deklaratën e kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtakut i cili në një tubim elektoral, ka deklaruar…

Lajme
Gjykata Supreme, e ka rrëzuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e cila e ka gjobitur me 5500 euro PDK-në, pas ankesës së LVV-së.
Kjo gjobë ka ardhur, pasi që LVV është ankuar në PZAP për deklaratën e kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtakut i cili në një tubim elektoral, ka deklaruar se “Qeveri më të poshtër, Qeveri ma mashtruese, Qeveri më antikombëtare nuk besoj që ka me pas Kosova”.
PZAP ka vlerësuar se përdorimi i një gjuhe të tillë është në kundërshtim me nenin 34 paragrafi 1 nën paragrafi 1.11, të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, në të cilin nen në mënyrë decidive thuhet se: “Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: 1.11. përdorimi i gjuhës, në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve, ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo lloj materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”.
Paneli, me rastin e vendosjes se gjobës si në dispozitiv të këtij vendimi, ka marrë parasysh të gjitha rrethanat si në vijim: natyrën e shkeljes dhe ndikimit të mundshëm të saj në procesin zgjedhor në fjalë, shkallën dhe peshën e shkeljes, pjesëmarrjen e subjektit në fjalë në zgjedhjet e mëparshme që konsiston në faktin se subjekti politik PDK, ka qenë i njoftuar me obligimet dhe përgjegjësit gjatë procesit të fushatës, shkeljet e Ligjeve zgjedhore në fuqi që ka bërë subjekti në fjalë në këto zgjedhje dhe në zgjedhjet e mëparshme në Kosovë që do të thotë se i njëjti është i njoftuar me rregullat zgjedhore.
Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga një gjendje e tillë e çështjes nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me aprovimin e ankesës të parashtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
“Me provat që gjendën në shkresat e lëndës, siç janë ankesa së bashku me dëshmitë e ofruara të paraqitura në PZAP, si dhe ankesa drejtuar kësaj gjykate, shihet qartë se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe kandidatët, përkatësisht, me dispozitat e nenit 34 paragrafi 1 pika 1.11, të LZP-së, me të cilën përcaktohet se: “1. Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: 1.11. përdorimi i gjuhës, në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve, ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo lloj materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë”. Nga provat që gjenden në shkresat e lëndës konkretisht dëshmitë e ofruara me ankesë shihet se kandidati për kryetar të Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku, në tubimin me qytetarë të mbajtur në këtë qytet më datë 19.09.2025, për qëllime elektorale, ka deklaruar: “Qeveri më të poshtër, Qeveri ma mashtruese, Qeveri më antikombëtare nuk besoj që ka me pas Kosova”. Nga deklarimet e cituara Gjykata Supreme e Kosovës, erdhi në përfundim se të njëjtat nuk janë në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes për Subjektet Politike”, thuhet në vendimin e Supremes.