PZAP refuzon ankesat e dy kandidatëve për deputetë të PDK-së, nuk ka të tjera për t’i shqyrtuar
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka refuzuar si të pabazuara të dy ankesat që janë dorëzuar pas përfundimit të numërimit të votave. Këto ankesa që janë dërguar nga dy kandidatët për deputetë të PDK-së, Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu janë refuzuar nga PZAP. Kryeziu ka kërkuar nga PZAP që të rinumërohen votat e…
Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i ka refuzuar si të pabazuara të dy ankesat që janë dorëzuar pas përfundimit të numërimit të votave.
Këto ankesa që janë dërguar nga dy kandidatët për deputetë të PDK-së, Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu janë refuzuar nga PZAP.
Kryeziu ka kërkuar nga PZAP që të rinumërohen votat e kandidatëve për deputetë brenda subjektit të tij.
“Refuzohet e pabazuar ankesa ZP. Anr. 53/2026 e parashtruar nga Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, paraqitur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me seli në Prishtinë, lidhur me rinumërimin e fletëvotimeve në QNR, të kandidatëve për deputet të subjektit politik PDK, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të mbajtura me datë 7 Qershor 2026”, thuhet në njoftim.
Ata kanë thënë se ankesa është parashtruar brenda afatit ligjor, por se është e pabazuar pasi që KQZ ka miratuar rekomandimin për rinumërimin e 185 vendvotimeve të rregullta.
“Paneli vlerëson se qëllimi 8imekanizmit të paraparë me nenin 3 të Rregullores Zgjedhore Nr.02/2026 është pikërisht verifikimi përmes një mostre përfaqësuese i saktësisë së procesit të numërimit dhe vlerësimi nëse rezultatet e kontrollit krijojnë nevojë për ndërmarrjen e masave shtesë të verifikimit. Vetë ktivizimi i këtij mekanizmi nuk krijon prezumim juridik se procesi i numërimit në tërësi ka qenë i pasaktë dhe as nuk mund të nënkuptohet me automatizëm si domosdoshmëri për zgjerimin e rinumërimit”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së për marrjen e këtij vendimi.
Të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu. Ai gjithashtu ka kërkuar rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë brenda partisë.
Ankesa e tij është refuzuar si e pabazuar për të njëjtën arsye me ankesën e kandidatit Qëndrim Kryeziu.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë sot se po presin që të merret vendim për këto ankesa dhe më pas të shpallen rezultatet përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së këtyre vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në”, ka deklaruar Elezi. /Lajmi.net/