Pas refuzimit të ankesave nga PZAP, KQZ pret nëse do të ketë të tilla në Supreme: Do të shohim nëse ka obligime konkrete për ne
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka marrë vendim ndaj dy ankesave që janë parashtruar pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të 7 qershor. Këto dy ankesa që janë bërë nga kandidatët për deputetë të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë brenda…
Lajme
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka marrë vendim ndaj dy ankesave që janë parashtruar pas numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të 7 qershor.
Këto dy ankesa që janë bërë nga kandidatët për deputetë të PDK-së, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë brenda partisë, janë refuzuar si të pabazuara.
“Paneli vlerëson se qëllimi i mekanizmit të paraparë me nenin 3 të Rregullores Zgjedhore Nr.02/2026 është pikërisht verifikimi përmes një mostre përfaqësuese i saktësisë së procesit të numërimit dhe vlerësimi nëse rezultatet e kontrollit krijojnë nevojë për ndërmarrjen e masave shtesë të verifikimit. Vetë ktivizimi i këtij mekanizmi nuk krijon prezumim juridik se procesi i numërimit në tërësi ka qenë i pasaktë dhe as nuk mund të nënkuptohet me automatizëm si domosdoshmëri për zgjerimin e rinumërimit”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së për marrjen e këtyre vendimeve.
Pas marrjes së këtyre vendimeve, KQZ ka thënë se po presin nëse për këto vendime palët do të bëjnë ankesë në Gjykatë Supreme, e më pas KQZ do të shpall rezultatet përfundimtare.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjen e institucioneve përkatëse para se të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAPI-it lidhur me 2 ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë. Pas plotëfuqishmërisë së vendimeve, mbetet të shihet nëse ato përmbajnë obligime konkrete për KQZ-në, për t’i zbatuar dhe pastaj për të proceduar me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi për lajmi.net.
Numërimi i votave ka përfunduar më 17 qershor, ndërkaq brenda dy ditëve Qëndrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu kanë dorëzuar ankesat e tyre.
Tani janë edhe 48 orë kohë për ta që të mund të dorëzojnë përsëri ankesë në Gjykatë Supreme në lidhje me vendimet e PZAP-it. /Lajmi.net/