Punëtorët e “Pastrimit” në Drenas me mjet pune teknikisht të parregullt, reagon Lladrovci: Kjo nuk lejohet, presim masa disiplinore

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shihen punonjës të Kompanisë Rajonale të Pastrimit, me një mjet pune në gjendje teknikisht të parregullt. Ai ka thënë se kjo kompani është ndërmarrje publike rajonale, nuk menaxhohet nga Komuna, por funksionon në bazë të…

Lajme

25/02/2026 10:39

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka reaguar në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, ku shihen punonjës të Kompanisë Rajonale të Pastrimit, me një mjet pune në gjendje teknikisht të parregullt.

Ai ka thënë se kjo kompani është ndërmarrje publike rajonale, nuk menaxhohet nga Komuna, por funksionon në bazë të legjislacionit në fuqi dhe statutit të saj, nën përgjegjësinë e organeve kompetente në nivel qendror.

“Veprimi i paraqitur në video përbën sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme, pasi qarkullimi i mjetit me defekt teknik përbën rrezikim serioz të sigurisë në komunikacionin publik, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, si dhe me standardet e sigurisë teknike të mjeteve motorike.

Një veprim i tillë përbën:

  • shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,
  • shkelje disiplinore,
  • dhe shkaktim të dëmit material, me pasoja të mundshme edhe penale në rast rrezikimi të jetës dhe sigurisë publike”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka thënë se asnjë mjet pune nuk lejohet të marrë pjesë në komunikacionin publik pa qenë teknikisht i rregullt dhe i sigurt, pavarësisht natyrës së punës apo institucionit që e përdor.

“Nëse punonjësit në fjalë do të ishin nën përgjegjësinë direkte të Komunës, do të ishin referuar menjëherë në komision disiplinor dhe do të ishin sanksionuar në përputhje me ligjin, pa asnjë tolerancë. Institucionet përgjegjëse pritet të ndërmarrin veprimet e nevojshme për hetimin e rastit dhe marrjen e masave disiplinore dhe ligjore, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten. Siguria publike dhe jeta e qytetarëve janë mbi çdo justifikim operacional apo individual”, ka shkruar Lladrovci. /Lajmi.net/

Postimi i plotë: