Psikiatri jep detaje për Adonis Demirin: Ishte rekomanduar trajtim i detyrueshëm në liri, por vendimi i gjykatës dyshohet se nuk u zbatua
Pas tragjedisë së rëndë që tronditi fshatin Demiraj të Gjilanit, ku mbetën të vdekur një foshnjë 3-muajshe dhe babai i saj 27-vjeçar, Adonis Demiri, ka reaguar Instituti i Forenzikës së Psikiatrisë së Kosovës (IFPK) për të sqaruar historikun e trajtimit të tij mental. Në një prononcim për RTV Dukagjini, psikiatri forenzik Shpend Haxhibeqiri ka bërë…
Lajme
Pas tragjedisë së rëndë që tronditi fshatin Demiraj të Gjilanit, ku mbetën të vdekur një foshnjë 3-muajshe dhe babai i saj 27-vjeçar, Adonis Demiri, ka reaguar Instituti i Forenzikës së Psikiatrisë së Kosovës (IFPK) për të sqaruar historikun e trajtimit të tij mental.
Në një prononcim për RTV Dukagjini, psikiatri forenzik Shpend Haxhibeqiri ka bërë të ditur se Demiri kishte qenë lëndë e ekzaminimit në këtë institut, por jo për raste të dhunës në familje apo abuzimit, transmeton lajmi.net.
“Tek ne nuk ka qenë për dhunë në familje, as për abuzim, por ka qenë për kanosje. Ai ka qenë në paraburgim për kanosje. Ne kemi afat vetëm dy javë që ta përfundojmë ekspertizën dhe të dorëzojmë rekomandimet tona,” ka deklaruar Haxhibeqiri.
Megjithatë, përkundër faktit që instituti e dorëzoi raportin brenda afatit ligjor dhe gjykata mori vendimin përkatës, zbatimi i tij në terren duket se ka dështuar.
“Ne e kemi kryer brenda afatit, e kemi dorëzuar, gjykata e ka marrë vendimin dhe për fat të keq duket se nuk është zbatuar vendimi i gjykatës,” ka përfunduar Haxhibeqiri.