Pse u takua Sveçla me njeriun që para dy ditësh fyeu viktimat e masakrës së Reçakut

Masakra e Reçakut në Kosovë e kryer nga forcat serbe, do të konsiderohej si gënjeshtër nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Lajme

07/12/2019 21:05

Deklarata e tij, e shumë zyrtarëve të tjerë serbë, përfshirë edhe presidentin Aleksander Vuçiq, do të shkaktonte reagime të mëdha në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, dy ditë më vonë, anëtarëi i Kryesisë së Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla nuk do ta kishte problem aspak që të takohej me Gjuriqin në Tiranë.

Express ka publikuar disa fotografi, në të cilat shihet Sveçla duke biseduar me Gjuriqin në një lokal.

Sipas asaj që është raportuar, takimi ka ndodhur në mbrëmjen e së shtunës në Tiranë.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë me Ardian Gjinin, që po përflitet se ka qenë gjithashtu pjesë e takimit, mirëpo i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Po ashtu, lajmi.net ka tentuar të flasë edhe me zyrtarë të Vetëvendosjes për t’i pyetur nëse ata kanë qenë në dijeni të zhvillimit të këtij takimi, mirëpo të njëjtit e kanë mbyllur telefonin.

Ndonëse nuk dihet se cili ka qenë qëllimi i këtij takimi, ajo çka dihet është qasja që ka pasur Gjuriq dhe shteti i tij karshi Kosovës.

“Unë do të kujtoj vetëm se “Figaro”, ka shkruar për Reçakun si një krim të fabrikuar, dhe se Heleh Rant dhe ekipi finlandez i patologëve, pasi të shohin faktet, thanë të njëjtën gjë si Ivan Todosijeviq që Reçaku ishte gënjeshtër”, ishte deklarata që Gjuriq dha vetëm para pak ditësh.

Gjuriq, disa herë kishte hyrë në Kosovë ku edhe kishte propaganduar kundër shqiptarëve.

Në mars të vitit të kaluar, Gjuriq ishte arrestuar nga Njësitë Speciale të Kosovës për shkak se ai nuk i ishte bindur udhrit të institucioneve shtetërore. /Lajmi.net/