Pse Kadaresë ia refuzojnë Nobelin? Krahasimi i qëndrimeve me të Le Clezios

Gjithmonë mes shqiptarëve është bërë një pyetje: si ka mundësi që Kadare nuk e merr çmimin Nobel? Kush e lufton ? Nga jashtë apo nga brenda? Apo siç thonë disa të tjerë faji është më shumë i vetë Kadaresë, që shpeshherë është treguar konformist dhe përkëdhelës i të mëdhenjve?

Lajme

17/01/2015 18:42

Mënyra se si ka reaguar ndaj atentateve vrastare të Parisit i jep të drejtë këtyre që mbrojnë variantin e dytë. Dhe kjo duket në gazetën “Le monde des livres” që është publikuar këtë të premte.

Gazeta ka mbledhur edhe reagimet e 10 shkrimtarëve për atë që ndodhi me revistën “Charlie hebdo”. Aty bien në sy edhe reagimi i Kadaresë dhe i shkrimtarit Nobelist francez,  JMG Le Clezio. 

Ndryshimi është i dukshëm. Kadare merr anën e Evropës, mburr vlerat e saj. Ndërsa Le Clezio shikon problemet e Francës, ato çka duhet të rregullojë ajo, në mënyrë që urrejtja të ulet. 

Ndryshimi mes të dyve është i madh. Ja seç shkruan Kadare. “Ajo që Europa ka bërë, i përket një sfere unike, superiore mund të thuhet, asaj të vlerave shpirtërore: filozofia, arti, literatura, demokracia dhe liria e shprehjes, për të cilën ajo sapo u godit. E veçanta e këtyre vlerave bën pjesë në aktet humane më sublime. Në ndryshim nga pasuria materiale, pyjet, nafta, bankat, nga të cilat çdo vend përfiton për vete, vlerat shpirtërore u nënshtrohen të tjera ligjeve. Asnjë popull -apo asnjë familje popujsh – nuk i krijon për vete. Njëherazi, në të kundërt, që ditën e parë të krijimit të tyre, ato u ofrohen në mënyrë krejt të natyrshme popujve të tjerë. Kështu Europa krijoi Danten, Shekspirin, Bethoven, – mund të themi edhe vetë Parisin, për vete, sikundër për të gjithë botën”. 

Së pari Kadare “harron” të përmendë se Europa është edhe ajo e inkuizicionit dhe kryqëzatave, është edhe ajo e dy luftërave botërore të shekullit të kaluar, është edhe ajo ku lindi fashizmi dhe komunizmi. Por më shumë se për këto qëndrimi i Kadaresë duket fallco se ai e mburr Europën për ato që gjithkush i di, ndërsa më shumë se kurrë ajo ka nevojë për ti evidentuar problemet, sidomos nga të huajt jashtë saj, shkruan lapsi.al. 

Por këtë më mirë se Kadare e bën një francez, jo më kot shkrimtari novelist Le Clezio. 

Ai i është drejtuar me një letër shumë të ndjerë  botuar në “Le monde des livres” vajzës së tij.

Në këtë letër përpos të tjerave novelisti sheh edhe dështimin e shoqërisë së sotme franceze.

Prandaj duhet të “shkatërrojmë getot, të hapim portat, ti japim çdo banori të këtij vendi një shans, të dëgjojmë zërin e tij, po aq sa duam që ai të dëgjojë tonin”, thotë ai për të njëjtën gazetë ku janë publikuar qëndrimet e dy shkrimtarëve.

Pikërisht aty duket edhe diferenca mes një novelisti dhe shkrimtarit shqiptar të cilit ky çmim i është refuzuar.