Pse duhet t’i pastorini kanaçet e pijeve të gazuara para se t’i hapni
Pijet e gazuara janë pa dyshim një nga shembujt e ushqyerjes së keqe dhe jo të shëndetshme.
Lifestyle
Problemi me pijet e gazuara të sheqerosura është që ato janë një vatër shqetësimesh serioze për organizmin. Në to gjenden një sasi e madhe përbërësish të dyshimtë dhe kimikate siç janë:
• Aspartami
• BPA (ose bisfenol A)
• Ngjyrues Kimik Karamel
Problemet që shkaktojnë secili prej këtyre përbërësve kanë qenë subjekt studimesh të shumta dhe secili prej tyre ka arritur në konkluzionin që pijet e gazuara janë fajtore për një sërë problemesh shëndetësore.
Këto pije janë rëndom në paketime të ndryshme, kryesisht kanaçe, në sipërfaqen e të cilave jo rrallë gjenden shumë baktere.
Sipas ekspertëve në këto paketime shpesh janë gjendur edhe gjurmë fekalesh apo bakteresh të dëmshme që vijnë kryesisht jo vetëm nga brejtësit por edhe nga duart e palara të njerëzve.
Teorikisht, këto baktere mund të shkaktojnë probleme në aparatin tretës dhe infeksione urinare.
Praktikisht, gjasat e infeksioneve janë në varësi të ruajtjes së produkteve në dyqane e supermarkete.
Këto baktere dhe gjurmë fekalesh që vijnë nga njerëz që nuk lajnë duart dhe i prekin ato, nuk jetojnë gjatë në temperatura të ftohta, ku pije të tilla duhet të ruhen.
Sipas ekspertëve, njerëzimi jeton në një mjedis të mbushur me mikrobe e baktere dhe është mëse normale që të ketë kontakt me to.
Megjithatë, nëse jeni të interesuar të mbroni sigurinë tuaj, shpëlajeni kanaçen e blerë përpara se ta hapni, ose pijen direkt hidheni në një gotë.
Sidoqoftë, për hir të shëndetit, ekspertët rekomandojnë të ruani distancën nga pijet e tilla të industrializuara.
Në vend të tyre, merrni ujë mineral, hidhni në të frutat ose perimet e stinës dhe kaq mjafton.
Mund të zgjidhni limon, portokall, luleshtrydhe, boronica, trangull, rozmarinë, mente që i japin ujit një aromë dhe shije krejt natyrale dhe mbi të gjitha pa kimikatet e rrezikshme. /Lajmi.net/