Protokolli i paqes në Ballkan
Duket që është një mësim tjetër që doli nga ‘përplasja protokollare’ në Paris. Më së miri do të ishte nëse të gjitha gjashtë shtetet së bashku, do të hynin në BE.
Opinion
Ceremonia e fundjavës së kaluar në Paris, e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, siç mund merr me mend secili që merr vesh, sadopak, nga politika dhe diplomacia perëndimore, është bërë nga pikëshikimi i 11 nëntorit të vitit 2018, e jo nga ai i një shekulli më parë.
Këto ngjarje gjithmonë shërbejnë për të kujtuar çfarë ka ndodhë atëherë, si u bë që Evropa, si kontinenti atëherë më i përparuar dhe më i zhvilluar i asaj kohe, hyri pa mend dhe pa krye (si thuhet), në një kasaphane që mori dhjetëra miliona jetë dhe që zhbëri, një herë e mirë, Evropën si qendrën politike dhe ekonomike të Botës.
Kjo ceremoni ishte dhe duhej të ishte, një ngjarje kur kujtohet kjo tragjedi, dhe kur ri-konfirmohet zotimi që Evropa kurrë më nuk duhet të hyjë në luftë brenda vetes, dhe që të gjitha problemet dhe krizat duhet të adresohen dhe të zgjidhen në mënyrë politike.
Zatën, Bashkimi Evropian është bërë me këtë qëllim sipëror pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, si dhe për të qenë partneri kryesor perëndimorë i SHBA-së, në fuqizimin politik, diplomatik, ekonomik dhe qytetërues të Perëndimit. Ndërsa Pakti NATO është bërë që Aleanca ushatarake Amerikë – Evropë ta mbrojë Perëndimin nga kërcënimi i Bashkimit Sovjetik dhe i Komunizmit, por edhe nga të gjitha kërcënimet e tjera.
Kjo qasje dhe ky mësim i Evropës dhe i SHBA-së, që u shfaq në fundjavën e kaluar, do të duhej të ishte mësimi më i mirë i mundhshëm edhe për të gjitha shtetet dhe të gjithë popujt, që u përfshinë në luftërat e njëpasnjëshme, në harkun kohor 1991-2001, në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ndryshe nuk bën. Por ja që atmosfera mbizotëruese në këto anë të Evropës, ajo që ndërtohet mbi diskursin publik, qoftë politik apo edhe mediatik, i rri shumë larg këtij synimi. Ta zëmë, viti i ardhshëm, kur bëhen njëzet vjet nga përfundimi i Luftës në Kosovë, nga ky pikëshikimi i Parisit të 11 nëntorit të vitit 2018, do të ishte e natyrshme, e kuptueshme, e dëshirueshme, që të ketë një Ceremoni të ngjashme që do ta shënonte njëzetvjetorin e përfundimit të luftës, dhe që do ta mëkëmbte një përkushtim të qartë të shteteve dhe popujve të kësaj pjese të Evropës, që ta ndërtojnë një paqe të qëndrueshme, me miqësi dhe bashkëpunim të mirëfilltë. Në këtë kontekst, me gjasë nuk do të mund të kishte ngjarje më shpresëdhënëse që Ballkani Perëndimor po bëhet Evropë, sesa poqëse Kosova dhe Serbia do ta arrinin Marrëveshjen gjithpërfshirëse, e cila do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve.
Sidoqoftë, një çështje protokollare, u bë ‘mollë sherri’ në raportet në mes të Serbisë dhe Francës, për shkak të trajimit që nikoqirët ia bënë Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit. Pati një shpërthim politik dhe emocional në politikën dhe mediat e Serbisë, pikërisht duke e trajtuar gjithë këto ceremoni, nga perspektiva e nëntorit të vitit 1918, kur ishin në fuqi skema krejtësisht të tjera historike dhe politike. Me 11 nëntor të këtij viti, Franca përçoi mesazhin e qartë që tani, në Evropë, të gjithë duhet të trajtohet njësoj, që nuk ka më fitues dhe humbës, dhe që paqja dhe stabiliteti i Evropës i bën të gjithë fitues, brenda një koncepti politik dhe historik të Bashkimit Evropian. Dobësimi dhe eventualisht, thyerja e BE-së, do të rikthente në skenën evropiane kërcënimet dhe rreziqet e të gjitha llojeve. Kjo dihet prej të gjithëve.
Ky koncept evropian që është ende në fuqi, në fakt është ai modeli që shërben si shtytësi kryesor edhe për integrimin e gjashtë shteteve të mbetura të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Të gjitha këto gjashtë shtete duhet të jenë të barabarta, të bashkëpunojnë në mes vetes, dhe të jenë së bashku pjesë e Bashkimit Evropian.
Me këtë logjikë, do të ishte e kuptueshme poqëse liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që synojnë t’i ngrisin flamujt e tyre në Bruksel, do të insistonin me kohë tek nikoqirët francezë të kësaj Ceremonie, që ata të jenë së bashku kudo ku do të ketë ngjarje dhe takime.
Sidoqoftë, duket që është një mësim tjetër që doli nga kjo ‘përplasja protokollare’ në Paris. Më së miri do të ishte nëse të gjitha gjashtë shtetet së bashku, do të hynin në BE.