Protestë kundër Agim Bahtirit, sulmohet gazetari i “Koha Ditore”

Një person, ende i panjohur ka sulmuar fizikisht të martën korrespodentin e Kohës Ditore, Musa Mustafën, teksa ky i fundit po intervistonte një protestues para Kuvendit Komunal të Mitrovicës.

Lajme

06/05/2014 20:24

I njëjti person mësohet se e ka sulmuar edhe protestuesin dhe ia ka shqyer pankartën, në të cilën shkruante: “Kush nuk është i kënaqur me qeverisjen e kryetarit Agim Bahtiri, le t`i bashkohet protestës”.

Ky person kishte dalë nga objekti i Komunës dhe i kishe sulmuar, kurse pas sulmit ishte kthyer në objektin e Komunës.

Sipas informata jozyrtare, thuhet se ky është burri i asistentes së kryetarit Bahtiri dhe njëkohësisht nip i tij.

Pas sulmit, korrespodenti ka njoftuar Policinë e Kosovës, pjesëtarë të cilët kanë dalë në vend të ngjarjes.

“Koha Ditore” ka kontaktuar edhe kryetarin Bahtiri lidhur me rastin, mirëpo ai ka thënë se nuk është në dijeni për këtë.