Peleshi tha në një postim në Facebook se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë të drejta dhe të ëndërrojnë një të ardhme të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në BE, por dhuna nuk është rruga për të adresuar kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
“Sulmet ndaj institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë të bëjnë as me studentët, as me të drejtën e tyre për të protestuar”, shkruan Peleshi teksa ka publikuar deklaratën e Komisionit Evropian lidhur me protestat që po zhvillohen prej gjashtë ditësh në Tiranë.
Peleshi bëri thirrje për dialog dhe dëgjim të ndërsjellë mes palëve.
“Le të ulemi me njëri-tjetrin. Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun”, shprehet kryetari i Kuvendit, duke nënvizuar se edhe kur palët nuk bien dakord, komunikimi duhet të vijojë.
Peleshi e mbyll mesazhin me një apel për bashkim dhe bashkëpunim në interes të vendit.
“T’i japim dorën njëri-tjetrit sot! Jemi për një qëllim. Për Shqipërinë”.
Komisioni Evropian ka reaguar sot ndaj protestave në Shqipëri, duke dënuar aktet e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, ndërsa ka theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore, që duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore.