Protesta në Prishtinë për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Policia: Situata kryesisht e qetë
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në Prishtinë, situata e sigurisë ka qenë kryesisht e qetë dhe nuk është raportuar për incidente. Protesta u mbajt në sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarë të shumtë shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Policisë,…
Lajme
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së mbajtur mbrëmë në Prishtinë, situata e sigurisë ka qenë kryesisht e qetë dhe nuk është raportuar për incidente.
Protesta u mbajt në sheshin “Skënderbeu”, ku qytetarë të shumtë shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Policisë, rreth orës 23:30 protestuesit nisën të shpërndaheshin në mënyrë të qetë. Megjithatë, një pjesë e tyre vazhduan drejt bazës së EULEX-it, ku qëndruan rreth 30 minuta.
Më pas, protestuesit u rikthyen në drejtim të kryeqytetit dhe vazhduan të qarkullonin me automjete në disa rrugë të Prishtinës.
Policia ka bërë të ditur se gjatë këtij defilimi janë shkaktuar kolona në trafik, ndërsa janë evidentuar edhe raste të vozitjes së rrezikshme, duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik dhe vetë drejtuesit e automjeteve.
Për këtë arsye, zyrtarët policorë ndërmorën masa shtesë, duke ndërprerë dhe riorientuar përkohësisht trafikun në disa segmente, me qëllim parandalimin e bllokimeve dhe aksidenteve të mundshme. Sipas Policisë, këto veprime kanë vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.
Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, duke respektuar të drejtën e qytetarëve për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mënyrë demokratike dhe në përputhje me ligjet në fuqi.
Në të njëjtën kohë, Policia ka paralajmëruar masa ndaj personave që shkelin ligjin dhe nuk respektojnë rregullat e trafikut rrugor.
Në fund, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka apeluar për kujdes të shtuar, respektim të ligjeve dhe shmangie të dëmtimit të pronës publike e private.