​Protesta kundër resortit në Zvërnec, dita e 16-të

Protesta qytetare e nisur kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit ka shënuar ditën e saj të 16-të radhazi të tubimeve në kryeqytet. Ky reagim erdhi si pasojë e kundërshtimit të ndërtimit të një resorti të parashikuar në këtë zonë, investim masiv ky që kap vlerën e 4 miliardë dollarëve. Sipas dinamikës së terrenit, marshimi…

Lajme

15/06/2026 19:26

Protesta qytetare e nisur kundër projektit turistik në zonën e Zvërnecit ka shënuar ditën e saj të 16-të radhazi të tubimeve në kryeqytet. Ky reagim erdhi si pasojë e kundërshtimit të ndërtimit të një resorti të parashikuar në këtë zonë, investim masiv ky që kap vlerën e 4 miliardë dollarëve.

Sipas dinamikës së terrenit, marshimi nisi me grumbullimin e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, nga ku ata marshuan përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u ndalur përpara godinës së Kryeministrisë.

Ndonëse shkak fillestar për nisjen e këtyre tubimeve u bë mbrojtja e ekosistemit të Zvërnecit dhe Nartës nga ndikimi i mundshëm i resortit, pas dy javësh qëndresë lëvizja ka marrë edhe tone politike. Kërkesat e protestuesve janë zgjeruar dhe janë pozicionuar hapur kundër qeverisë dhe klasës politike në tërësi.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë artikuluar thirrje për ndryshime rrënjësore politike e ligjore në vend.

Kërkohet rishikimi dhe shfuqizimi i paketave ligjore që lidhen me investimet strategjike dhe mjedisin në Shqipëri; dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe reformimin e lidershipit politik.

Përpara godinës së qeverisë, demonstruesit kanë shprehur qëndrimet e tyre përmes pankartave, flamujve dhe thirrjeve të njëpasnjëshme drejtuar krerëve të politikës shqiptare.

Retorika e qytetarëve gjatë protestave të këtyre ditëve ka pasur si emërues të përbashkët disa thirrje dominuese:

“Rama jepe dorëheqjen”, “Narta, Zvërneci në fyt do ju ngecin”, “Shqipëri e re” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.