Protesta ishte e qetë, dhuna u përdor nga persona tjerë
Rreth 100 qytetarë kanë protestuar të dielën për gjysmë ore në Mitrovicë kundër barrikadës së re mbi Urën e Ibrit. Protesta e tyre përfundoi e qetë, por më pas persona tjerë janë afruar te ura mbi Ibër, duke përdorur dhunë ndaj organeve të rendit.

Lajme
“Nuk duam park, por duam urë”, u tha mes tjerash në këtë protestë, të organizuar nga rinia mitrovicase me moton ‘ose ju ose na’ (ju-institucionet, na-qytetarët).
Këta protestues sikurse u mblodhën, pas 30 minuta e përfunduan protestën, por ishin të tjerë ata që u mblodhën përreth urës ku më pastaj eskaloi situata.
Derisa protestuesit po mbanin në duar pankarta me mbishkrimet ‘Lëvizje të lirë për të gjithë’ ‘BE stop diskriminimit’ ‘Ose ju ose na’ etj, protesta u zhvillua e qetë dhe nuk pati ndonjë incident.
Labinot Musliu, njëri nga organizatorët e kësaj proteste, tha se keq informimi i disa mediave ka dhënë efekt negativ ngase shumë njerëz janë tubuar tek ura, gjë që nuk ka qenë në planin organizativ të protestës së organizuar nga rinia dhe për këtë ai u shpreh se nuk ndjehet përgjegjës.
“Ne kemi planifikuar protestë paqësore dhe siç është planifikuar ashtu edhe ka dal. Keq informimi i disa mediave ka dhënë efekt negativ për arsye se siç po e shihni shumë njerëz janë tubuar tek ura dhe ne për këtë nuk marrim përgjegjësi. Protesta jonë është lajmëruar si paqësore dhe ashtu ka dal”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Musa Damati protestues, tha se ky është turpi dhe gjunjëzimi më i madh i institucioneve të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e deri tani.
“Kjo është e papranueshme për qytetarët e Mitrovicës dhe ne apelojmë në mënyrë imediate tek institucionet përgjegjëse që ta largojnë atë barrikadë atje dhe ta zëvendësojnë me manifestimin e sovranitetit të Prishtinës zyrtare në secilin cep të veriut të vendit, në të kundërtën epilogu i territorit të Republikës së Kosovës pas 10 viteve, do të jetë i ngjashëm me Ukrainën e sotme, andaj ne nuk duhet dhe nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë”, ka thënë Damati.
Sipas tij, qytetarët janë kundër barrikadimit të Republikës së Kosovës dhe kundër policisë serbe në veri, të dirigjuar nga Beogradi.