Hoxha: Pagat nuk duhet të jenë lëmoshë mes votuesit dhe qeverisë
Analisti, Ylli Hoxha ka kritikuar premtimet elektorale për pagën e 13-të dhe të 14-të, duke thënë se ato po përdoren si mjete për nxitjen e votuesve dhe jo si politika të mirëfillta ekonomike. Duke komentuar ofertat e partive politike gjatë fushatës zgjedhore, Hoxha tha se paga e 13-të nënkupton një pagë shtesë brenda 12 muajve, ndërsa…
Lajme
Analisti, Ylli Hoxha ka kritikuar premtimet elektorale për pagën e 13-të dhe të 14-të, duke thënë se ato po përdoren si mjete për nxitjen e votuesve dhe jo si politika të mirëfillta ekonomike.
Duke komentuar ofertat e partive politike gjatë fushatës zgjedhore, Hoxha tha se paga e 13-të nënkupton një pagë shtesë brenda 12 muajve, ndërsa paga e 14-të përbën rritje të të hyrave të punëtorëve për rreth 18 për qind.
“Paga e 13-të është një pagë shtesë brenda 12 muajsh. Paga e 14-të i bie rritje e të hyrave të punëtorit për 18%”, deklaroi ai.
Sipas Hoxhës, ofertat publike për rritje pagash nga subjektet politike nuk janë në përputhje me mundësitë reale ekonomike dhe me frymën që duhet të ndërtohet në shoqëri.
“Këto oferta publike, si premtimi për rritje 50% apo premtime të tjera, janë në shpërputhje me ligjin që është aprovuar rishtazi, por edhe me mundësitë reale”, tha Hoxha.
Ai vlerësoi se pagat nuk duhet të përdoren si instrument politik në raportin mes votuesit dhe përfaqësuesve qeveritarë.
“Pagat nuk do të duhej të ishin lëmoshë mes votuesit dhe përfaqësuesit qeveritar. Kjo është keqpërdorim i pozitës në të cilën je si kryeministër apo ministër”, u shpreh ai.
Hoxha theksoi se në shoqëritë moderne ekzistojnë mekanizma të përcaktuar për rritjen e pagave, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, duke shtuar se edhe Kosova duhet të ndjekë modele të standardizuara për trajtimin e tyre.
Sipas tij, debati aktual politik po rrëshqet drejt populizmit dhe “tallavares politike”, ku fokusi kryesor mbeten premtimet financiare për qytetarët./dukagjini