Protesta deri në arritje të qëllimit

Studentët po kërkojnë dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi, fillimin e hetimeve nga Prokuroria për të gjitha skandalet në UP dhe zhveshjen nga kompetencat që aktualisht ka Këshilli Drejtues. Dhe nëse këto nuk ndodhin, protestat nuk do të ndalen.

Lajme

29/01/2014 06:45

Studentët të cilët sot kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, nuk po kërkojnë vetëm dorëheqjen e Rektorit Ibrahim Gashi. Ata duan që ndikimi i politikës të largohet nga tempulli i dijes.

Njëri prej protestuesve, studenti Rron Gjinovci në një deklarim për lajmi.net, thotë se protestat janë forma më e mirë për momentin, pasi që nuk ka pasur reagim institucional.

“Reagimi institucional ka munguar gjatë gjithë kësaj kohe edhe pse skandalet që kanë plasë në UP tashmë janë të dëshmuara, gjithandej nëpër media”.

“Kur mungon veprimi institucional, në këso raste nuk mbetet kurrfarë forme tjetër përveç protestës dhe mendoj që ajo është shumë e qëlluar në këto momente”.

Rron Gjinovci

Rron Gjinovci thotë se përgjegjësi kryesor i gjendjes në të cilën ndodhet UP’ja është i tërë sistemi universitar. Studentët, thotë ai po kërkojnë që Këshilli Drejtues t’i hiqen kompetencat, pasi që ai “është mekanizmi garantues i kontrollit të Universitetit nga politika”- dhe këto kompetenca t’i kalojnë Senatit.

Gjinovci  thotë se Rektori Gashi është vetëm një simptomë e këtij sistemi.

“Përgjegjësi kryesor për gjendjen aktuale në UP është sistemi universitar që është i instaluar. Ne kemi biseduar me studentët dhe njëra prej kërkesave tona është heqja e Këshillit Drejtues dhe kthimi i kompetencave tek Senati”.

“Sepse Këshilli Drejtues është ai mekanizëm që po garanton kontrollin e Universitetit prej politikës. Nëse problemi është kontrolli i Universitetit prej politikës, atëherë ne duhet ta zhbëjmë atë mekanizëm kontrolli, t’ia kthejmë kompetencat Senatit”.

“Kësisoj nuk kishte me pas më këso dallavere dhe këso skandale në UP. Kishte me qenë situata shumë më lehtë e kontrolluar”.

“Përveç Rektorit fajin e ka tërë sistemi universitar dhe Rektori është vetëm një simptomë e këtij sistemi”.

Gjinovci thotë se do të duhej inicimi i hetimeve nga Prokuroria e Shtetit, dhe po ashtu  të bëhet rishikimi i statutit të UP’së.

Foto: Petrit Rrahmani, Lajmi.net

 

“Hapat e menjëhershëm ligjorë do të duhej të ishin fillimi i hetimeve nga Prokuroria ndaj Rektorit, ndaj anëtarëve recerenzues të punimeve të tij shkencore. Ndaj të gjitha skandaleve që kanë ndodhur në UP”.

“Së dyti, Kuvendi i Kosovës do të duhej të mbante një mbledhje urgjente ku do ta trajtonte edhe një herë statutin e Universitetit të Prishtinës sepse vetëm Kuvendi e ka këtë kompetencë. Të fillonte amandamentimi i statutit duke hequr kompetencat e Këshillit Drejtues dhe bartjes së tyre tek Senati”.

 

Dhe nëse nuk ndërmerren këto veprime ligjore, Rron Gjinovci paralajmëron se protestat nuk do të ndalen, dhe me gjasë ato do të rriten.

”Nëse asnjëra prej këtyre nuk është duke u bërë dhe prej nesh kërkohet që të ndalen protestat, sigurisht që kjo nuk do të ndodh”.

“Protestat do të vazhdojnë dhe sipas të gjitha gjasave ato do të rriten”- deklaroi Rron Gjinovci për lajmi.net.