Prokuroria Speciale pushon hetimet ndaj Liburn Aliut në lidhje me faljen e borxheve për kompanitë e ambalazhimit të ujit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nxjerrë aktvendim për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e faljes së borxheve të taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit. Vendimin Prokuroria Speciale për Lajmi.net e ka konfirmuar avokati i Aliut, Artan Qerkini. “Ndaj z.…

Lajme

02/10/2026 11:48

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nxjerrë aktvendim për pushimin e hetimeve ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e faljes së borxheve të taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit.

Vendimin Prokuroria Speciale për Lajmi.net e ka konfirmuar avokati i Aliut, Artan Qerkini.

“Ndaj z. Aliu PSRK ka nxjerrë aktvendim për pushimin e hetimeve në lidhje me rastin që ka qenë duke u hetuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ka qenë ministër”, tha Qerkini.

Aliu u intervistua si i dyshuar në gusht

Rasti kishte marrë vëmendje publike në gusht të këtij viti, kur Aliu ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale për t’u intervistuar lidhur me çështjen e taksës ujore dhe faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhimit të ujit.

Më 5 gusht 2026, ish-ministri ishte intervistuar për rreth tri orë në cilësinë e të dyshuarit.

Në atë kohë, avokati i tij Artan Qerkini kishte deklaruar se Aliu ishte treguar bashkëpunues dhe i ishte përgjigjur menjëherë ftesës së Prokurorisë Speciale.

Pas përfundimit të intervistimit, Aliu kishte thënë se për të ishte lehtësim që, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, kishte pasur mundësinë t’ua shpjegonte prokurorëve rrethanat e rastit.

“Është një lehtësim që pas dy vite heshtje pata mundësinë me marr edhe me sqaruar pak situatën para prokurorisë për të gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje, që ka degradu aq shumë, por që unë jam përgjigjur në heshtje”, pati deklaruar Aliu.

Kush është Liburn Aliu?

Liburn Aliu është figurë e njohur e politikës kosovare dhe pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka shërbyer për disa vite në institucionet publike, fillimisht në nivelin lokal si kryetar i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë dhe më pas si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në qeveritë e udhëhequra nga Albin Kurti, Aliu ka mbajtur poste ministrore. Fillimisht ishte ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ndërsa më pas ka drejtuar Ministrinë e Infrastrukturës.

Gjatë mandatit të tij në qeveri, emri i Aliut është përmendur në disa raste lidhur me zhvillimet në sektorin e infrastrukturës dhe me projekte të mëdha rrugore.

Në rastin e fundit, Aliu ishte hetuar në cilësinë e të dyshuarit për pretendimet që lidhen me faljen e borxheve të taksës ujore për kompanitë e ambalazhimit të ujit. Me aktvendimin e fundit të Prokurorisë Speciale, hetimet ndaj tij për këtë çështje janë pushuar.

Tani Aliu është duke drejtuar Portin e Durrësit, një post tejet i rëndësishëm në Shqipëri, por edhe më gjerë për lidhjet që ky port ka me Ballkanin dhe vendet e largëta të botës./Lajmi.net/