Musliu dhe Demaku lëshojnë mbledhjen e Komisionit: Prioritet duhet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara
Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e këtij komisioni. Deputetja Ganimete Musliu tha se, ndonëse kishte marrë pjesë në mbledhje për të konfirmuar konstituimin e komisionit, në rrethanat aktuale nuk mund të vazhdohet…
Lajme
Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Fadil Demaku, kanë lëshuar mbledhjen e këtij komisioni.
Deputetja Ganimete Musliu tha se, ndonëse kishte marrë pjesë në mbledhje për të konfirmuar konstituimin e komisionit, në rrethanat aktuale nuk mund të vazhdohet me punë rutinore të Kuvendit.
“Vërtet sot jam këtu vetëm për të konfirmuar konstituimin e këtij komisioni dhe për t’i bërë funksional të gjithë trupat e Kuvendit që i duhen për të funksionuar një Kuvend normal, por sot, dje, e po shpresoj që nesër do të kemi një ditë tjetër, nuk mund të sjellemi normal e të mbajmë rend të ditës e procesverbalet të zakonshme, e të sjellemi si gjithçka po funksionon normal e Kuvendi t’i vazhdojë punimet rutinë, sikur gjithçka në këtë vend është normal, kur në fakt gjendja në Kosovë nuk është normale, është një gjendje e jashtëzakonshme. Kuvendi, si institucioni më i lartë përfaqësues i popullit, nuk guxon në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë të jetë indiferent ndaj zërit të popullit. Sot jemi dëshmitarë të gjithë që jo vetëm në sheshin e Prishtinës, por në të gjitha sheshet e komunave të Kosovës, ose të them më troç, në gjithë Kosovën e edhe në mërgatë, qytetarët e Republikës së Kosovës i kanë drejtuar sytë nga institucionet, i kanë drejtuar sidomos sytë nga ky Kuvend që është edhe njëherë po e përsëris institucioni më i lartë përfaqësues që del direkt nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe kërkojnë që ky Kuvend mos të ketë asnjë prioritet tjetër para shqyrtimit ose plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha ajo.
“Prandaj, unë e kundërshtoj mbajtjen e një mbledhje rutinë, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës po kërkojnë diçka tjetër dhe ne jemi këtu për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë e di që ne mund të kemi dallime politike për shumë çështje, por këtu nuk guxojmë të kemi dallime, këtu duhet të jemi bashkë. Nuk ka rëndësi a jemi parti politike të ndryshme, nuk ka rëndësi a jemi nacionalitet të ndryshme, unë konsideroj që për Republikën e Kosovës nuk ka asnjë çështje më prioritare se çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë. Në Hagë nuk janë gjykuar individët, në Hagë nuk janë gjykuar emrat e përvetshëm, është gjykuar historia jonë. Në Hagë është marrë një vendim politik, është lexuar një pamflet politik nga gjyqtarë të korruptuar politik, prandaj edhe veprimet tona duhet të jenë të shpejta, duhet të jenë politike, duhet të jenë të zgjuara dhe duhet të jenë në përgjigjen konforme kërkesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Prandaj unë nuk e votoj këtë rend dite dhe nuk marr pjesë në një komision që është kaq indiferent ndaj situatave të cilat po kalon vendi ynë“, tha ajo.
Edhe deputeti Fadil Demaku tha se projektligji për Dhomat e Specializuara duhet të jetë prioriteti kryesor i Kuvendit.
“Vetëm dua të konfirmoj atë që tha kolegia Ganimete Musliu, se prioritet për Kuvendin e Republikës së Kosovës sot është projektligji për Dhomat e Specializuara. Unë mendoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të gjejnë sa më shpejt një unifikim të përbashkët dhe krejt potencialin tonë në këto ditë ta vënë në shërbim të këtij projektligji. Ky është prioriteti numër një. Çështjet e tjera asnjëra nuk është me nguti dhe të gjitha mund të presin. Ne jemi këtu si përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Tashmë është e qartë që qëndrimi i popullit të Kosovës, kërkesa është shumë e qartë ndaj qeverisë dhe deputetëve që ky ligj të trajtohet me emergjencë dhe për këtë arsye ne, si Parti Demokratike, e kemi dhënë kontributin tonë që t’i kemi krejt mekanizmat funksionalë për… në funksion të këtij ligji, pastaj që të kthehemi në normalitet dhe t’i vazhdojmë procedurat me projektligjet e tjera“, tha ai.
Kryesuesi i komisionit, Albert Kinolli, tha se ai po e kryen detyrën e tij si kryetar i komisionit dhe se situata aktuale është shqetësuese për qytetarët.
“Gjithë këtu, gjithë këtu jemi qytetarë pa dallim kësaj republike, këtij shteti tonë, këtyre institucioneve që i kemi krijuar edhe i kemi formuar me shumë sakrificë, me shumë mund. Edhe besoj që secili prej neve e ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm që sot ne të jemi këtu, të veprojmë të lirë, të flasim të lirë, të mendojmë të lirë. Dhe unë sinqerisht këtë komis- çfarë është thirrjen unë vetëm jam duke e bërë punën time si kryetar i komisionit dhe besoj që nuk ka asnjë individ, pa marrë parasysh se nga cila shtresë vjen, a janë mediat, a janë deputetët, apo qytetari i rëndomtë, që nuk bashkëndjen me këtë situatë. Mirëpo, sipas informacioneve që i kemi nga kryeministri, ne urojmë edhe shpresojmë që shumë shpejt amendamentimi i projektligjit për Gjykatën Speciale do të vijë në Kuvend“, u shpreh ai.