Prokuroria Speciale dorëzon aktakuzë ndaj 21 të pandehurve për krime lufte dhe zhvendosje me dhunë të civilëve shqiptarë nga Kosova
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, një aktakuzë ndaj 21 të pandehurve për krime lufte gjatë periudhës janar-qershor 1999 në Kosovë. Në lidhje me rastin, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka thënë se kjo aktakuzë përfaqëson një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe përgjegjësinë për vuajtjet e…

Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, një aktakuzë ndaj 21 të pandehurve për krime lufte gjatë periudhës janar-qershor 1999 në Kosovë.
Në lidhje me rastin, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka thënë se kjo aktakuzë përfaqëson një hap të rëndësishëm për drejtësinë dhe përgjegjësinë për vuajtjet e shkaktuara në Kosovë.
“Është bërë një punë e madhe dhe e përkushtuar për tu siguruar që aktakuza të ketë prova, përtej çfarë do dyshimi, përkundër asaj që ajo është ngritur në mungesë të të pandehurve”, ka thënë Isufaj.
Prokurori i rastit, ka thënë se sipas provave të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit të cilët janë 21, duke ushtruar kontroll dhe autoritet efektiv mbi forcat e armatosura në zonat përkatëse të Republikës së Kosovës, kanë kryer veprime të ndaluara rreptësisht nga e Drejta Ndërkombëtare Humanitare.
“Këto veprime përfshijnë shkatërrimin sistematik të pronave, përfshirë djegien e shtëpive dhe infrastrukturës, sulmet e drejtpërdrejta ndaj civilëve dhe vendbanimeve të tyre, përndjekje dhe ndalime arbitrare për arsye etnike e që në fund kanë rezultuar me dëbim masiv të popullsisë shqiptare nga Kosova drejt shteteve fqinje. Sipas aktakuzës, këto veprime përbëjnë pjesë të një fushate të gjerë që ka rezultuar me zhvendosjen me dhunë të rreth 863 mijë civilëve shqiptarë sipas statistikave zyrtare”, ka thënë prokurori i rastit.
Ai gjithashtu ka thënë se Prokuroria vlerëson se të pandehurit në pozitën dhe funksionin që kanë ushtruar, kanë dështuar të marrin masat e nevojshme dhe të arsyeshme për të parandaluar këto krime, kanë dështuar për të ndëshkuar autorët e tyre, si dhe kanë dështuar për ti raportuar ato te autoritetet më të larta ndonëse kishin kompetenca ligjore për të bërë një gjë të tillë.
“Aktakuza të pandehurit i ngarkon në bazë të nenit 142 të ligjit penal të ish republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ligj atëherë në fuqi i cili sanksionon krimet e luftës kundër popullatës civile, si dhe në harmoni me Konventën Humanitare Ndërkombëtare, përfshirë Konventat e Gjenevës dhe protokollet shtesë. Prokuroria mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të së vërtetës, në mbrojtjen e viktimave, dhe në sigurimin e drejtësisë për të gjitha palët. Hetimet tona kanë qenë të pavarura, profesionale dhe të mbështetura në prova konkrete ashtu siç e potencoi edhe kryeprokurori. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, dhe për të mos ndikuar në procesin gjyqësor, nuk mund të jap më shumë detaje në këtë fazë”, ka shtuar prokurori i rastit në një konferencë për media. /Lajmi.net/