Prokuroria në Prizren ngre aktakuzë ndaj një personi për fajde dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Y.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par.1  dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Sipas aktakuzës, i pandehuri…

Lajme

07/08/2025 10:48

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Y.M., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprat penale “Fajdeja” nga neni 331 par.1  dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i pandehuri Y.M., nga data 31.12.2024 e në vazhdimësi deri me datë 16.04.2025 në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit S.Sh., në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare, nga i pandehuri merr të holla në shumë prej 2.500 € (dymijë e pesëqind euro), me kamatë mujore me interes në shumë prej 250 (dyqindepesëdhjetë euro), pastaj i pandehuri për shkak vonesave që ka pasur i dëmtuari në kthimin e huasë bashkë me interesin, kamata mujore arrinë në shumë prej 500 € (pesëqind euro), dhe i pandehuri për sigurimin e huasë bashkë me interesin, me datë 16.04.2025 takohet me të dëmtuarin ku i dëmtuari në emër të fajdesë ia jep shumën prej 1.000 € (njëmijë euro) të pandehurit i cili pastaj me paratë e marra nga i dëmtuari arrestohet në flagrancë nga policia. Me këto veprime, i njëjti  ka kryer veprën penale “Fajdeja” sipas KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri Y.M., mban në pronësi, kontroll ose posedon armë në kundërshtim Ligjin për armët, në atë mënyrë që me rastin e kontrollimit të automjetit “Opel Astra”, pronë e të pandehurit janë gjetur:

1 (një) pistolete ngjyrë e zezë e modelit P22 Walther,

1 (një) karikatorë i zbrazët,

1 (një) fishekë i armëve të gjata dhe

2 (dy) fishekë të pistoletës.

Ndërsa, gjatë kontrollimit të banesës së tij, janë gjetur:

1 (një) pistoletë e modelit Rohm RG96, kalibrit 9mm;

1 (një) karikator i pistoletës me 9 (nënte) fishekë,

45 (dyzetë e pesë) fishekë për arme te gjata,

1 (një) kuti plastike ne të cilën gjendeshin brenda 36 (tridhjete e gjashte) fishekë të pistoletës, me mbishkrim G.F.L 9mm, Luger,

1 (një) armë zjarri e gjatë,

1 (një) karikatorë i armëve të gjata (skorpionit) me 1 (një) fishekë, me mbishkrim në baze G.F.L, 9mm Luger. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.

Prokurori i rastit ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, dhe atë: automjeti i markës “Opel Astra”, dyqind e pesë (205) euro, dyzet (40) franga zvicerane, pesë (5) dollarë, dy (2) telefona mobil si dhe armët e lartëcekura.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.