Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarët komunalë në Gjakovë nën dyshime për keqpërdorim të detyrës
Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka nisur hetime penale ndaj katër zyrtarëve komunalë me inicialet A.B., E.B., A.L., dhe A.K., të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndaj tyre është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore të…

Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka nisur hetime penale ndaj katër zyrtarëve komunalë me inicialet A.B., E.B., A.L., dhe A.K., të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndaj tyre është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore të Gjakovës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet lidhen me disa vendime të marra gjatë viteve 2018 dhe 2019, ku zyrtarët në fjalë, duke vepruar në bashkëpunim, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare duke lëshuar pëlqime për parcelime të kundërligjshme të pronave në pronësi publike dhe komunale, në favor të disa personave privatë.
I pandehuri A.B., në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, dhe e pandehura E.B., si udhëheqëse e Sektorit Urbanistik, sipas Prokurorisë, më 10 tetor 2018 dhe 25 tetor 2019 kanë nënshkruar pëlqime për parcelime të tokave që ishin në pronësi të Kuvendit Komunal të Gjakovës dhe të një ndërmarrjeje publike, duke ua mundësuar individëve privatë që të përfitojnë në mënyrë të paligjshme prona dhe objekte me sipërfaqe të konsiderueshme, transmeton lajmi.net
Në hetim janë përfshirë edhe zyrtarët A.L. dhe A.K., të cilët, në cilësinë e drejtoreshës për Kadastër dhe juristit në këtë drejtori, dyshohet se kanë aprovuar regjistrimin e parcelave të reja dhe bartjen e tyre në emër të palëve private, pavarësisht se ishin të njoftuar me certifikatat pronësore që dëshmonin pronësinë publike të këtyre tokave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, në një rast të vitit 2019, zyrtarët kanë lejuar bartjen e pronës prej 599 m2 dhe të një objekti prej 115 m2, fillimisht në emër të një individi e më pas në emër të familjarëve të tij, duke shkaktuar, sipas Prokurorisë, dëme të drejtpërdrejta ndaj Komunës së Gjakovës dhe ndërmarrjes publike përkatëse.
Të gjitha veprimet e përshkruara konsiderohen si të ndërmarra me qëllim përfitimi pasuror për vete ose të tjerët, ndërsa bazohen në nenet 414 dhe 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurit për të garantuar mbarëvajtjen e hetimeve dhe shmangien e ndikimit në prova apo dëshmitarë.
Hetimet janë në fazën fillestare dhe pritet që Gjykata të vendosë mbi kërkesën për masë sigurie në ditët në vijim./Lajmi.net/