Prokuroria kërkon paraburgim për pjesëtarin e Njësisë Speciale, Murat Latifi – dyshohet për katër vepra penale

Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me Murat Latifi, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë në Mitrovicë. Ai po hetohet për përfshirje në katër vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës apo…

Lajme

04/09/2025 19:06

Departamenti për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me Murat Latifi, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë në Mitrovicë.

Ai po hetohet për përfshirje në katër vepra penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, zbulim të fshehtësisë zyrtare, mbajtje të paautorizuar të armëve dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, transmeton lajmi.net.

Sipas Prokurorisë, më 2 shtator 2025, në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, i dyshuari, duke shfrytëzuar autoritetin e tij si zyrtar policor, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme duke marrë një person tjetër nga banesa e tij dhe duke e larguar në drejtim të Prishtinës. Dyshohet se veprimi është bërë me qëllim përfitimi personal dhe përfitimi të dobisë pasurore për palë të treta.

Gjithashtu, sipas hetimeve, më 18 qershor 2025, i njëjti zyrtar policor ka komunikuar me të njëjtin person përmes telefonit dhe e ka informuar për një hetim të mundshëm ndaj tij, duke shkelur detyrën dhe duke zbuluar informata të ndjeshme zyrtare.

Prokuroria gjithashtu bën të ditur se në shtëpinë e të pandehurit në Vushtrri janë gjetur fishekë, ndërsa në një rast tjetër, në një lokal nate, Latifi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri shtatë deri në tetë herë, ndërsa një ditë tjetër tre herë të tjera. Pamjet e këtyre të shtënave janë publikuar në rrjete sociale, ndërsa posedimi dhe përdorimi i armës është bërë në kundërshtim me Ligjin për armët.

Gjatë bastisjes së mbrëmshme në shtëpinë dhe veturën e të dyshuarit, policia ka sekuestruar dy telefona dhe një sasi fishekësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin M.L. do të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë./lajmi.net/