Prokuroria e Hagës kërkon të pranohen provat e dëshmitarit që iu konstatuan probleme mendore, ai vetë e mohonte nënshkrimin
Dëshmitari i 29-të, kur e pati radhën të dëshmojë, në muajin tetor 2023, e kishte bërë ‘kaos’ në Gjykatën Speciale të Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së. Kishte thënë se nënshkrimi në një dokument nuk është i tij. Kishte kërkuar pushim, nuk pranonte të dëshmojë, edhe nëse i duhej të shkonte në burg. Muaj…

Lajme
Dëshmitari i 29-të, kur e pati radhën të dëshmojë, në muajin tetor 2023, e kishte bërë ‘kaos’ në Gjykatën Speciale të Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së.
Kishte thënë se nënshkrimi në një dokument nuk është i tij. Kishte kërkuar pushim, nuk pranonte të dëshmojë, edhe nëse i duhej të shkonte në burg.
Muaj më pas, me vendimet e gjyqtarëve dhe verifikimeve të caktuara, u konstatua se dëshmitari në fjalë ka probleme mendore. Megjithatë, këto telashe nuk ishin përmendur kur i njëjti ishte intervistuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë në vitin 2022.
Tash, Prokuroria e Hagës po kërkon që provat dhe dëshmitë që ndërlidhen me këtë dëshmitar, të pranohen në rastin e krerëve të UÇK-së, edhe pse ai nuk është në gjendje të dëshmojë.
Në parashtresën të cilën e ka parë Nacionale, thuhet se provat duhet të pranohen, pasi dëshmitari nuk është në gjendje të dëshmojë si pasojë e problemeve mendore.
“Kur ai u shfaq për herë të parë në gjykatë më 10 tetor 2023, W04577 kërkoi të konsultohej me një avokat; Paneli e miratoi kërkesën e tij. Më 11 tetor 2023, Avokati i W04577 kërkoi shtyrje, kërkesë të cilën Paneli e miratoi. Më 18 tetor 2023, Avokati i W04577 kërkoi një shtyrje tjetër. Më 31 tetor 2023, Paneli shtyri dëshminë e W04577 deri në njoftim të mëtejshëm dhe urdhëroi [REDAKTUAR].
Për rrjedhojë, në këto rrethana, janë ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për të siguruar shfaqjen e W04577, dhe, për shkak të dëmtimit mendor, W04577 nuk është në gjendje të dëshmojë”, thuhet në parashtresë raporton Nacionale.
Dëshmitari, sipas Prokurorisë, kishte dijeni për beteja të ndryshme të UÇK-së dhe individë të ndryshëm të ndaluar nga UÇK-ja.
“Në lidhje me çështje të ndryshme, përfshirë [REDAKTUAR], pjesëmarrjen në beteja, dhe individë të ndaluar nga anëtarët e UÇK-së në disa lokacione. Shënimi i Përgatitjes së W04577 1 është gjithashtu autentik dhe i dobishëm. Ai është dokumentuar në shabllonin zyrtar të Prokurorisë dhe përfshin detaje si data dhe ora e takimeve dhe identitetin e atyre që ishin të pranishëm”, thuhet në parashtresë.
Edhe pse mbrojtja nuk ka pasur mundësinë që t’i përballë pretendimet e dëshmitarit me pyetje, për Prokurorinë kjo nuk është fort me rëndësi.
“Për më tepër, megjithë pamundësinë e Mbrojtjes për të kryer pyetje të drejtpërdrejta ndaj W04577, një faktor të cilin Paneli do ta marrë parasysh kur të vlerësojë tërësinë e provave të pranuara në gjyq, Mbrojtja ka pasur mundësinë të pyeste dëshmitarë të tjerë mbi disa çështje të trajtuara në Dëshmitë e Propozuara dhe/ose mbi W04577 vetë. Çelësi është se Mbrojtja është në dijeni të identitetit të W04577, mund të hetojë atë, motivet dhe besueshmërinë e tij, dhe ka mundësinë të sfidojë Dëshmitë e Propozuara në gjyq dhe të paraqesë një version tjetër të ngjarjeve”, thuhet më tutje.
Historia e dëshmitarit që e trazoi Gjykatën Speciale
Kur u paraqit për të dëshmuar në tetorin e vitit të kaluar në seancë të Gjykatës Speciale, dëshmitari i 29-të në rastin e krerëve të UÇK-së, refuzoi ta bënte një gjë të tillë. Madje, ai ishte shprehur i gatshëm të shkonte në burg, por jo të përgjigjej.
Megjithatë, dukej që misteret e dilemat për këtë dëshmitar vetëm sa u shtuan. Kjo pasi në emër të dëshmitarit është dërguar një letër në Hagë, e cila ka shkaktuar një situatë të re në komplet gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Nacionale ka parë dokumentin e dorëzuar nga avokatët e krerëve të UÇK-së të cilët kanë kërkuar që letra e këtij dëshmitari, të hetohet nga një hetues i pavarur, e jo Prokuroria e Specializuar. Madje, thuhet se pretendimet mund të jenë fatale për besueshmërinë e tij, dhe provave për gjykim.
“Mbrojtja për z. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi (“Mbrojtja”) kërkon nga Trupi Gjykues që të caktojë një hetues të hetojë pretendimet e përfshira në një mesazh të marrë nga ZPS në lidhje me W04577 (“Letra W04577”). Pretendimet e përfshira në mesazh ndikojnë drejtpërdrejt dhe janë potencialisht fatale për besueshmërinë e W04577. Identiteti i autorit të letrës W04577 është nga ana tjetër i domosdoshëm për çdo hetim mbi vërtetësinë e tyre”, thuhet në këtë parashtrim.
“Prandaj, meqenëse mbrojtja nuk është në gjendje të kryejë vetë hapat e nevojshëm hetimor për shkak të redaktimeve të autorizuara nga Trupi Gjykues, dhe Prokuroria është më tej në një situatë konflikti interesi pasi çështja e saj kundër katër të akuzuarve mbështetet, ndër të tjera, në besueshmërinë e W04577 , Mbrojtja kërkon që të caktohet një hetues i pavarur me qëllim që (i) të hetojë pretendimet e përfshira në Letër; (ii) të përgatisë një raport mbi rezultatin e hetimeve të tilla dhe (iii) t’i zbulojë Panelit dhe Palëve çdo material të marrë prej tij që bie nën Rregullat 102-103”, thuhet më tutje,
Për dëshmitarin 29 në rastin e krerëve të UÇK-së, ish-avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, thoshte se ka kërkuar pako përfitimi në këmbim të dëshmisë. Por, ky nuk ishte zhvillimi i vetëm problematik në Hagë që ndërlidhet me këtë dëshmitar.
“Më duket se ka lidhje me dëshmitarin e radhës. Nuk e di nëse keni pasur mundësi të shihni shënimet përgatitore apo korrigjuese të dëshmitarit, por iu lutem të shihni shënimin përgatitor numër dy. Në këtë shënim është një përmbajtje, një përshkrim i një, është bërë një përpjekje nga dëshmitari të negociojë diçka me prokurorinë para se të jap dëshmi, është paragrafi 1 dhe 12. Diskutohet diçka lidhur me atë që është premtuar në të shkuarën, dhe cfarë nuk është premtuar, dhe ka një kontradiktë të qartë mes asaj që është premtuar, dhe z.Pache, ka një kontradiktë mes asaj që ai thotë se është pretenduar, dhe asaj që pretendon Pache”, tha Emmerson, raporton Nacionale.
Vetë dëshmitari në seancë, nuk pranonte se një nënshkrim ishte i tij.
Biseda:
Prokuroria: A është e vërtetë se keni thënë deklaratë në vitin 2004?
Dëshmitari: Është e pavërtetë.
Prokuroria: Po thoni që nuk keni thënë deklaratë? Nëse do të shihni versionin anglisht, a shihni nënshkrimin tuaj?
Dëshmitari: E paska shkarravit dikush këtë shkrim, nuk është e vërtetë.
Avokati i dëshmitarit: Sot paradite jam konsultuar me klientim tim. Dëshmitari është i stresuar dhe nuk është gati të jap dëshmi, është gati të shkojë në burg. Po udhëzohet ai për të dhënë dëshminë. Nuk e di nëse shtyhet seanca do të ndryshojë mendja e tij.
Menjëherë pas betimit se do ta thotë të vërtetën, dëshmitari 29 në rastin e krerëve të UÇK-së kërkoi diçka nga trupi gjykues. Tha se i ka dy kërkesa, por kur filloi t’i tregonte ato, ai u ndërpre nga gjyqtari Charles Smith, i cili tha se deklarimet e tilla bëhen në fund.
“Unë i kam dy kërkesa, e parë është se…”, ishte duke deklaruar dëshmitari kur u ndërpre nga kryegjyqtari i rastit, raporton Nacionale.
E kur filloi të merrej në pyetje nga prokurori James Pache, dëshmitari kërkoi që seanca të ndërprehet. Fillimisht tha se nuk po ndihet mirë me shëndet, e pastaj se i duhet të konsultohet me avokatin. Kjo ndër rastet e rralla kur një seancë ndërprehet ende pa nisur mirë.
“Më duhet pak pushim se nuk po ndihem mirë me shëndetin. Nuk mund të vazhdoj. Më duhet me u konslultu me një avokat rreth procesit, nuk po i kuptoj do sene bash mirë”, tha dëshmitari.