Prokurori thotë se do të vërtetohet se ish-ministrat Veseli e Shala shkelën ligjin me dijeni, mbrojtja që s’kishte veprime të kundërligjshme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dhënë fjala hyrëse në gjykimin ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokurori Milot Krasniqi tha se do të vërtetohet fajësia e dy të akuzuarve, kurse mbrojtja e këtyre të fundit tha se s’ka…

Lajme
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është dhënë fjala hyrëse në gjykimin ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Prokurori Milot Krasniqi tha se do të vërtetohet fajësia e dy të akuzuarve, kurse mbrojtja e këtyre të fundit tha se s’ka veprime të kundërligjshme nga ana e tyre.
Gjatë dhënies së fjalës hyrëse, prokurori Milot Krasniqi, tha se rasti në fjalë përbën një rast të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, siç përcaktohet me dispozitat e Ligjit Penal, në të cilin janë përfshirë dy të akuzuarit, gjatë kohës sa ishin duke ushtruar funksionet e ministrave në Qeverinë e Kosovës.
Krasniqi tha se pas administrimit të provave në shqyrtimin gjyqësor, do të vërtetohet se të akuzuarit veç e veç kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen sipas aktakuzës, pasi që ka prova të mjaftueshme që argumentojnë se dy të akuzuarit në rastin konkret nuk kanë vepruar në interes të publik dhe se me dijeni kanë zgjedhur që të shkelin ligjin.
“Nuk do të ndalem në prezantimin e provave veç e veç, pasi ato janë të shumta dhe të lloj-llojshme, por vlen të ceket se është propozuar të dëgjohen shumë dëshmitarë, duke filluar nga nëpunësit e thjeshtë të administratës e deri tek kryeministri i cili ushtronte funksionin në kohën kur njëri i akuzuar ishte ministër”, tha Krasniqi.
Në fund, ai tha se më përfundim të shqyrtimit gjyqësor dhe në pajtim me gjendjen faktike të vërtetuar, Prokuroria do të kërkojë që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të sanksionohen sipas ligjit.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Vesel Krasniqi, avokati Artan Qerkini, tha se për veprimet për të cilat po akuzohen i mbrojturi i tij, ky i fundit mbrohet me imunitet kushtetues.
“Edhe sikur mos të ekzistonte imuniteti kushtetues, në veprimet e Veselit nuk manifestohen elementet e veprës penale as në aspektin subjektiv e as në atë objektiv”, tha avokati Qerkini.
Gjithashtu, ai shtoi se nuk do të vërtetohet as baza faktike e as ajo juridike për pretendimet e Prokurorisë, të shprehura në dispozitivin e aktakuzës.
“Në vijim të kësaj procedure, do të vërtetohet se nuk ka pasur tejkalim të kompetencave, nuk ka pasur dëm të qëllimshme ndaj interesit publik, por përpjekje për të ngritur standardet e tregut”, u shpreh Qerkini.
Në fund, ai tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të dëshmohet se i mbrojuri i tij ka vepruar në përputhje me ligjin, me përgjegjësi institucionale dhe në interes të përmirësimit të furnizmit të tregut me karburante. Tha se akuzat janë të pabazuara dhe se nuk qëndrojnë as në aspektin faktik e as atë juridik.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Endrit Shala, avokati Besnik Berisha, tha se kjo çështje është skandal demokracie që cenon parimet e sigurisë juridike.
“Ҫështja në raport me Endrit Shalën, është skandal demokracie që cenon parimet e sigurisë juridike për të vetmin qëllim – statistika për emra të përveçëm, por jo shkelje ligji, për të cilin paguhet secili zyrtar publik, në veçanti ata që mandat e kanë hetimin objektiv të pavarur, të pandikuar dhe në përputhje ekskluzivisht me ligjin”, tha avokati Berisha.
Berisha tha se vendimi i Shalës nuk ishte, nuk është është dhe kurrë nuk do të jetë i kundërligjshëm, dhe se ligjshmërinë e tij nuk e ka kontestuar askush nga Prokuroria.
Seanca u ndërpre për shkak se anëtari i trupi gjykues- Arben Hoti i cili është kryetar i trupit gjykues në rastin “Banjska” kishte seancë të planifikuar për atë rast.
Dy të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur më 27 nëntor 2024 janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Themelorja dhe Apeli kanë konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministraveKrasniqi dhe Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2024 kishte paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale për plotësimin/përmirësimin e aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Vesel Krasniqi në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë akuzohet se me dashje dhe dijeni, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020.
Ky UA sipas aktakuzës përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat, përkatësisht me nenet 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana pa kosto shtesë.
Aktakuza thotë se kjo çështje me këtë vendim ka kaluar te operatorët ekonomikë privatë dhe si rrjedhojë e kësaj në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me vendimin e 30 dhjetorit 2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane OE “Sicpa SA” si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivative të lëngëta të naftës.
Ndërsa, thuhet se më 14 janar 2021, kishte nëshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila ishte dëmtuar interesi publik në shumën 11 milionë e 235 mijë e 706 euro e 31 centë, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës me qëllim përfitimi për kompaninë private dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.
Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Endrit Shala akuzohet se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.
Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.
Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.
Andaj, për këto veprime, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Përmes kësaj aktakuze, prokurori special Milot Krasniqi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.
Ndryshe, Shala ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, kurse Krasniqi në periudhën qershor 2020- mars 2021./BetimipërDrejtësi