Procesi zgjedhor drejt finalizimit, KQZ raporton për funksionalizimin e qendrave të numërimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka prezantuar në mbledhjen e radhës raportin mbi përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se procesi logjistik dhe administrativ po ecën sipas planifikimit të paraparë. Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se përgatitjet…
Lajme
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka prezantuar në mbledhjen e radhës raportin mbi përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, duke vlerësuar se procesi logjistik dhe administrativ po ecën sipas planifikimit të paraparë.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se përgatitjet për ditën e zgjedhjeve po zhvillohen në mënyrë të rregullt, duke përfshirë gjithë infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, tashmë janë transportuar pajisjet e teknologjisë informative, përfshirë kamerat në vendvotime, kompjuterët, monitorët dhe pajisje të tjera mbështetëse. Po ashtu, janë pranuar dhe kontrolluar të gjitha formularët zgjedhorë, ndërsa shpërndarja e tyre nëpër komuna pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.
Buzhala ka njoftuar se materialet e ndjeshme zgjedhore, si fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve, vulat dhe materialet e tjera, do të shpërndahen në komunat e vendit më 6 qershor, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se është përmbyllur trajnimi i këshillave të vendvotimeve dhe stafit që do të angazhohet në procesin e publikimit të rezultateve preliminare.
“Deri më tani janë funksionalizuar 30 Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa tetë të tjera pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme. Po ashtu, ka vazhduar edhe trajnimi i ekipeve të numërimit”, ka deklaruar Buzhala.
Sa i përket votimit jashtë Kosovës, ai ka theksuar se materialet për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike janë pranuar në gjendje të rregullt dhe po ruhen sipas procedurave të parapara. Sipas tij, është përmbyllur edhe trajnimi i stafit që do të angazhohet në këto qendra.
Gjithashtu, deri më 4 qershor janë tërhequr 39,405 zarfe me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në Gjermani dhe Zvicër./lajmi.net/