Dy ditë para zgjedhjeve, Kusari-Lila shpall masa të reja tregtare ndaj Serbisë: Hetim anti-dumping për grurin dhe kufizim për aluminin

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur vendosjen e dy masave të reja tregtare ndaj Serbisë, të cilat përfshijnë nisjen e hetimeve anti-dumping për importin e farës së grurit dhe vendosjen e një kuote për importin e aluminit dhe produkteve të tij. Sipas saj, vendimet kanë për…

Lajme

05/06/2026 12:57

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur vendosjen e dy masave të reja tregtare ndaj Serbisë, të cilat përfshijnë nisjen e hetimeve anti-dumping për importin e farës së grurit dhe vendosjen e një kuote për importin e aluminit dhe produkteve të tij.

Sipas saj, vendimet kanë për synim mbrojtjen e prodhuesve vendorë dhe garantimin e kushteve të barabarta të konkurrencës në tregun e Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Sot në cilësinë e ministres në detyrë… kam ftuar këtë konferencë për t’ju informuar lidhur me dy vendime të rëndësishme që kemi marrë ndaj Serbisë, të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e bizneseve vendore nga praktikat e padrejta tregtare”, tha Kusari-Lila.

Ajo theksoi se njëra nga masat lidhet me nisjen e hetimit për importin e farës së grurit nga Serbia, pas ankesave të prodhuesve vendorë, të cilët kanë ngritur dyshime për çmime dumping.

“Ky vendim është rezultat i një ankese të paraqitur nga kompanitë prodhuese vendore… të cilat kanë ngritur dyshime se fara e grurit e importuar nga Serbia po shitet me çmime dumping, duke dëmtuar prodhimin vendor”, u shpreh ajo, duke shtuar se analizat paraprake tregojnë indikacione për “dëme materiale ndaj industrisë vendore”.

Ministrja tha se procesi është bazuar në të dhëna nga Dogana e Kosovës, Ministria e Bujqësisë dhe analizat e tregut, ndërsa paralajmëroi masa të përkohshme në rast se konfirmohen shkeljet.

“Si ministre do të marr vendim për vendosjen e detyrimeve të përkohshme anti-dumping për mbrojtjen e prodhimit vendor”, deklaroi ajo.

Kusari-Lila njoftoi gjithashtu për një vendim tjetër që lidhet me kufizimin sasior të importit të aluminit nga Serbia, duke e cilësuar si masë për mbrojtjen e industrisë vendore dhe konkurrencës së drejtë.

“Kam marrë sot vendim për të përcjellë në Qeveri… vendosjen e kuotës sasiore ndaj Serbisë për importin e aluminit dhe artikujve prej alumini”, tha ajo.

Sipas saj, kuota do të kufizojë importet në 30% të vëllimit total të importit të këtyre produkteve nga Serbia, bazuar në shifrat e vitit 2025, ndërsa për periudhën deri në fund të vitit 2026 është përcaktuar një kufi prej 637.26 tonësh. Importet që e tejkalojnë këtë nivel do të përballen me tarifë doganore prej 50%.

“Importet që tejkalojnë këtë kuotë do t’i nënshtrohen tarifës doganore prej 50%. Obligohet Dogana e Kosovës për zbatimin e këtij vendimi”, tha ajo./lajmi.net/