Probleme me gjumin? Mund të jetë faji i nënës tuaj

Nëna juaj mund të jetë shkaktarja kryesore se përse nuk bëni dot gjumë të mirë.

Fun

26/03/2016 15:53

Sipas shkencëtarëve, nëse vuani nga pagjumësia, shkak mund të jetë fakti se nëna ka konsumuar alkool gjatë shtatzënisë.

Revista “Neuroscience” raporton se një studim i ri doli në përfundimin se, ekspozimi ndaj alkoolit në barkun e nënës, bën që të keni probleme me gjumin në moshë madhore, shkruan tvklan. Sipas studiuesve, konsumimi qoftë e një sasie të vogël alkooli gjatë shtatzënisë, bën dëm të mjaftueshëm.

Shkencëtarët studiuan sjelljen e minjve të rritur, të cilëve iu injektua një dozë e vetme alkooli të pastër, 7 ditë përpara se të lindnin.

Duke qenë se truri i miut me atë të njeriut zhvillohet ndryshe në këtë aspekt, kjo ishte e barabartë me një femër që konsumon alkool gjatë 3 muajve të fundit të shtatzënisë.

Minjtë, të cilëve iu injektua alkool, flinin më pak gjumë të thellë sesa të tjerët. Ata kishin më shumë gjasa që të ishin hiperaktivë dhe të kishin probleme me kujtesën.

Sipas “Mail Online”, shkencëtarët e New York University, që realizuan këtë studim, besojnë se zbulimi i tyre vlen edhe për njerëzit.

Profesori Donald Wilson për të përditshmen britanike u shpreh: “Prej kohësh e dimë se problemet me gjumin lidhen me dëmtimin e funksioneve konjitive, vëmendjes dhe çrregullimeve emocionale. Studimi jonë, tregon për herë të parë se, ekspozimi ndaj alkoolit në moshë të hershme sjell probleme afatgjata me gjumin, që dëmton njëkohësisht aftësinë tonë për të mësuar”.

Ekspertët këshillojnë të gjitha nënat e ardhshme të qëndrojnë sa më larg alkoolit gjatë shtatzënisë.