Prizreni mund të bëhet qyteti më i zhvilluar në Kosovë, thotë kryeparlamentari Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës u takua me strukturat udhëheqëse komunale, asamblistë, qytetarë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare të komunës së Prizrenit.

Lajme

15/01/2015 20:08

Sipas një njoftimi të zyrës për informim, kryeparlamentari Veseli vlerësoi lart virtytet që përfaqësojnë Prizrenin dhe qytetarët e tij, ndërsa ka shtuar se ka premisa që së shpejti të bëhet edhe qyteti më i zhvilluar ekonomikisht i Kosovës

Në adresimin e tij para këshilltarëve komunalë dhe qytetarëve, Veseli, pasi shprehu kënaqësinë që gjendet në qytetin historik të Prizrenit, tha se vizitat si kjo janë tregues i interesimit dhe përgjegjësisë që deputetët dhe drejtuesit institucionalë kanë kundruall qytetarëve. Duke folur për virtytet që përfaqësojnë Prizrenin dhe qytetarët e tij, kryeparlamentari Veseli tha se ky qytet ka premisa që së shpejti të bëhet edhe qyteti më i zhvilluar ekonomikisht i Kosovës.

Veseli u ndal edhe në objektivat e Kuvendit të Kosovës, duke e konsideruar atë vend ku merren vendimet më të rëndësishme për jetën e qytetarëve.

“Për Kuvendin, secili prioritet i Komunës së Prizrenit, i cili do të përcillet nëpërmjet rregullativës institucionale, besoj se do të jetë prioritet edhe i të gjithë deputetëve, për faktin se ndjenja jonë është e veçantë për Komunën e Prizrenit”, theksoi kryetari Veseli.

Vizita e kryeparlamentarit në Prizren u përmbyll me adresimin para gazetarëve.

Kryetari i Kuvendit tha se kjo vizitë realizohet në kuadër të obligimeve institucionale dhe nënkupton kthim në bazën ku jepet përfaqësimi qytetar.

“Ky do të jetë edhe një mesazh se ne do të vazhdojmë që punën e Kuvendit ta bartim te qytetarët tanë, jo vetëm në komunën e Prizrenit, por në të gjitha komunat anekënd Kosovës, në të cilat unë dhe deputetët e Kuvendit do të jemi bashkërisht, në mënyrë që edhe qytetarët t’i shprehin vërejtjet, brengat, por edhe idetë e tyre”, tha ndër të tjera  Veseli./KosovaPress/