Pritet aktakuzë e re për Limajn, MTPT 2

Një aktakuzë e re kundër Deputetit Fatmir Limaj, siç pohojnë burime të lajmi.net, pritet të ngritet së shpejti. Bëhet fjalë për rastin që njihet si MTPT 2, në të cilin thuhet se ai akuzohet bashkë me Nexhat Krasniqin, Shpëtim Telakun, e disa të tjerë.

Lajme

22/01/2014 13:54

Një aktakuzë e re kundër Deputetit Fatmir Limaj dhe bashkëpunëtorëve të tij pritet të ngritët së shpejti, ka njoftuar një burim i lajmi.net.

Siç pohohet, EULEX tashmë ka përfunduar hetimet në këtë rast dhe pritet vetëm që të bëhet ngritja e aktakuzës.

Sipas këtij burimi, krahas Deputetit Limaj, në aktakuzën e re që pritet të ngritët për korrupsion për Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) do të përfshihen edhe Nexhat Krasniqi, që ushtron ende detyrën e Shefit të Prokurimit në këtë Ministri, Shpëtim Telaku, e disa të tjerë.

EULEX’i konfirmon zhvillimin e hetimeve për këtë rast.

Zëdhënësi i këtij Misioni, Blerim Krasniqi, thotë për lajmi.net se Limaj dhe të tjerët dyshohen për një numër veprash penale, por nuk komenton ngritjen ose jo të aktakuzës.

“Më 8 gusht 2012 prokurori ka dorëzuar akvendimin për fillimin e hetimeve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ndaj Fatmir Limajt dhe katër personave tjerë. Mund të konfirmojmë se hetimet kanë të bëjnë me tre tenderë të ndërtimit të rrugëve, mirëpo nuk mund të japim më shumë detaje”.

“Fatmir Limaj dhe të tjerët dyshohen për një numër veprash penale, përfshirë krim të organizuar, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të pozitës zyrtare ose i autorizimit, dhe marrje ryshfeti”.

Një proces i ngjashëm gjyqësor kundër Limajt është duke u zhvilluar në Gjykatë.

Ndërsa në rastin MTPT 2, për të cilin thuhet se pritet të ngritet aktakuza, Limaj dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në lidhje me tre tenderë rrugësh në Ferizaj.